Një shpërthim tjetër tronditi veriun e Mitrovicës mëngjesin e së premtes. Ngjarja ndodhi rreth orës 5 të mëngjesit në lagjen e boshnjakëve.

Sipas burimeve zyrtare, përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar të njerëz. EULEX-i konfirmoi se për këtë rast forcat e rendit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes por pa mundur të kapin autorët.

Ndërkaq, masat e sigurisë janë shtuar në këtë rajon, në veçanti për ndërkombëtarët pas ngjarjes së rëndë që ndodhi të enjnten.

Rikthimi i qarkullimit me mjete të blinduara është masa kryesore. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi tha se misioni evropian do të vazhdojë të kryejë detyrën e tij.

“EULEX-i vijon punën në veri, dje në mbrëmje dhe sot në mëngjes janë bërë rotacione në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe janë marrë masa të sigurisë si lëvizja me mjete të blinduara. Vrasja e djeshme nuk do ta zmbrapsë misionin EULEX në detyrën e tij”, deklaroi Krasniqi.

Sa i përket hetimeve lidhur me vrasjen e doganierit lituanez të entjen, ajo çfarë mund të thonë në EULEX është se hetimet vazhdojnë.  

“Hetimet për sulmin dhe vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it janë duke u kryer nga Policia evropiane dhe ajo e Kosovës, nën ombrellën e Prokurorisë Speciale të Kosovës”, konfirmon misioni europian për sundimin e rendit dhe ligjit.

Ndërkohë, vrasja e doganierit në veri ka sjellë për një vizitë në Kosovë komandantin e operacioneve civile të Bashkimit Europian, Hansjorg Haber.

“Erdha sot në Kosovë që bashkë me ju të shpreh solidaritetin, dhimbjen dhe përkujtimin për kolegun e rënë Audrius Senaviciusit. Kjo është një ngjarje tragjike dhe është e rëndësishme që ta dini se ju vlerësoheni dhe mbështeteni nga nivelet më të larta të udhëheqjes në Bruksel. Jam i bindur se policia dhe stafi ynë i gjyqësorit, në bashkëpunim me policinë dhe institucionet gjyqësore të Kosovës do të bëjnë hetime të hollësishme për këtë ngjarje tragjike që ndodhi dje”, ka deklaruar Haber.

Oficeri lituanez ishte zyrtar doganor i EULEX-it, i cili punonte në kuadër të shërbimeve të rregullta në pikë-kalimet në veri. Ai për herë të parë erdhi dhe punoi në këtë mision gjatë periudhës prill 2010.

Para ardhjes së tij në misionin EULEX, ai kishte punuar si inspektor i lartë në Departamentin e Doganës së Lituanisë. Ai ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe dy djem.

Top Channel