Amanda Knox deklaron se nuk do të shkojë në Itali për rihapjen e procesit për vrasjen në vitin 2007 të studentes angleze Meredith Kercher.
“Unë kam qenë në Itali dhe jam burgosur edhe pse e pafajshme. Nuk mund ta përjetoj këtë gjë sërish”, tha Knox për televizionin amerikan NBC.
Zonjush Knox dhe ish-i dashuri i saj italian Raffaele Sollecito u shpallën fajtorë për vrasjen e Kercher në vitin 2009, por u shfajësuan në apel në vitin 2011.
Në mars, gjykata supreme e Italisë rrëzoi të dy vendimet, duke urdhëruar një proces të ri. Knox kaloi katër vite në burg derisa erdhi shfajësimi. Ajo tha se pret që të fitojë sërish, por parandjenjat i sugjerojnë që të mos kthehet në Itali.
“Jam menduar për këtë gjë dhe do të ishte sikur të kaloja të gjithë jetën në burg dhe të humbas gjithçka që jam përpjekur të rindërtoj që atëherë”, u shpreh Knox.
“Mendoj për këtë gjatë gjithë kohës. Është shumë e frikshme. Gjithçka është në piketë”, vijoi vajza, të cilës nuk i kërkohet që të jetë e pranishme në Itali për procesin e ri, që pritet të fillojë në Fierence më 30 shtator.
Gjithësesi, nëse dënimi i mëparshëm i saj konfirmohet, Italisë do t’i duhet të bëjë kërkesë për ekstradim. Meredith Kercher u gjet e vrarë në të njëjtën shtëpi që ndante me Knox në Peruxha të Italisë.
Top Channel