SHISH mohon akuzat e medias

19/09/2013 00:00

Në një njoftim për mediat, Shërbimi Shtetëror Shqiptar ka
përgënjeshtruar lajmet për takimin e shefit të shërbimit me një agjente
ruse, te quajtur Ollga.

Ne njoftim thuhet se: “Ndjejmë detyrimin për të sqaruar opinionin publik, se janë bërë përpjekje nga disa media, me qëllim dëmtimin e veprimtarisë institucionale të Shërbimit Informativ Shtetëror, me informacione të sajuara, të gënjeshtërta dhe denigruese ndaj Drejtorit të SHISH.

Të gjitha këto informacione janë absolutisht të pavërteta. Ato pengojnë direkt apo indirekt ushtrimin e veprimtarisë së këtij institucioni tepër të rëndësishëm të sigurisë kombëtare.

Media ka hapësirat e veta ligjore të cilat mund ti shfrytëzojë lirisht për të informuar opinionin publik mbi ngjarje dhe situata, por në asnjë moment nuk mund të përligjim një përpjekje disinformuese, të ulët dhe aspak dinjitoze.

Ju informojmë se përpjekje të tilla nuk do të ndikojnë në vijueshmërinë e punës së SHISH, në përmbushje të misionit të tij, ruajtjen e sigurisë kombëtare, në respektim të të gjithë kuadrit ligjor ekzistues.

Gjithashtu ju sigurojmë se do të ndërmerren të gjitha hapat e duhura ligjore, për vendosjen para drejtësisë së autorëve të këtyre shpifjeve, duke ju drejtuar institucioneve kompetente.

Ky veprim diktohet nga intensiteti në rritje i publikimit të informatave të rreme si dhe nga detyrimi ligjor për të mbrojtur veprimtarinë e punës së institucionit”, përfundon deklarata e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Top Channel