Ajo është sëmundja e shekullit. Rreth 33 milion njerëz në mbarë botën janë bartës të HIV/AIDS. Një sëmundje vdekjeprurëse, të ciles ende nuk i është gjetur kura për shërim.

Në dekadën e fundit ka pasur shumë përpjekje për të gjetur një vaksinë a kurë kunder Sida-s. Njoftime të tilla i kemi dëgjuar të vijnë nga cepa të ndryshëm të botës. Por së fundmi është një shqiptar, i cili sjell lajmin e mirë. Ai është Iart Luca Shytaj, një i ri i cili ka kryer doktoraturën në Institutin e Lartë të Shëndetit në Romë. Emri i tij është i pari në listën e një grupi kërkuesish shkencorë që kanë zhvilluar një eksperiment të suksesshëm për shërimin e Sida-s.

“Ideja jonë është të zhvillojmë një koktejl ilacesh për luftën e HIV. Hapi i parë kemi zhvilluar këtë kokteil. E kemi aplikuar për tre muaj dhe i heqim dhe sistemit imun kontroll-virusin pa nevojë që pacienti të marrë ilace. Kështu virusi është tek majmunët, por sistemi imun e kontrollon atë”, thotë Iarti.

Rrjeti i studiuesve me pjesëmarrje edhe nga Duke University në Amerikë, i cili drejtohet nga Iarti ka testuar këtë kurë. Së bashku me antriretroviralet, që është medikamenti me të cilin trajtohen personat Hiv pozitivë, ata kanë përfshirë në kurë auranofinën, një medikament që perdoret për artritin dhe Buthioninë Sulfoximine (BSO).

“Me idenë tonë bashkë me antiret shtojmë dhe dy medikamente që prekin rezervuaret ku hiv qëndron dhe ulet niveli i Hiv që qendron për vite dhe kur heqim ilacet virusi nuk ka mundesi të kthehet si më parë dhe sistemi imunitar mund ta kontrollojë atë”, thotë shqiptari Iart Luca Shytaj.

Antiretrovirali bllokon replikimin e virusit Hiv, por nuk mund të prekë disa shtigje ku ai depozitohet për vite. Ndaj ajo është kura e vetme e aplikuar deri më sot tek Hiv pozitivët për shtimin e jetëgjatësisë së tyre.

Koktejli i ri i zhvilluar nga Instituti i Shëndetit në Romë, jep një shpresë të re për njerëzit, sepse lloji i majmunëve makaki, me të cilët është kryer eksperimenti, është specia që ngjan më shumë me njeriun sa i takon zhvillimit të sëmundjes.

“Majmunët kanë më shumë se një vit pa terapi dhe nuk kanë asnjë patologji asnjë simptomë”, deklaroi Iarti.

Pas testimit te rezultateve tek majmunët, tashmë studiuesit shpresojnë që në 2014 të provojnë këtë terapi mbi njerëzit. Iarti thotë se testet tek majmunët kanë përfunduar 100 përqind me sukses, por tek njerëzit nuk dihet rezultati, ndaj për këtë do të punohet dhe pritet që për të paktën 3 vite të dilet në një përfundim.

Zyrtarisht numri i personave të prekur nga virusi i Sidës është 555, por dyshohet se shifra është më e lartë.

Top Channel