Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë hodhi shortin e renditjes së subjekteve në fletëvotime për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Tanimë 103 subjektet politike i dinë numrat me të cilët do të garojnë për zgjedhjet lokale.

Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 99, Lidhja Demokratike e Kosovës numrin 78, lëvizja Vetevendosje 61-shin, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë 62-shin, Aleanca Kosova e Re 89-n dhe Lëvizja për Bashkim 121-shin.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka u bëri thirrje subjekteve politike që të respektojnë ligjin dhe rregullat e zgjedhjeve, ndërsa qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Në këto zgjedhje do të garojnë gjithësej 103 subjekte. Fushata zgjedhore nis më datë 3 tetor dhe do të zgjasë deri më 1 nëntor.

Ndërkohë, Roberto Gaultieri është emëruar shef i misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e Përfaqëueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila ka vendosur të nis këtë mision si ndihmë për zgjedhjet për pushtetin vendor të Kosovës.

Top Channel