
Ekipi negociator i Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit tashmë ka arritur në punët përfundimtare për të filluar procesin që vlersohet më i rëndësishmi për Kosovën në drejtim të integrimit të Kosovës në BE-se.
Kryeministri kosovar Hashim Thaçi kërkoi nga ministrat të angazhohen maksimalisht në përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i negocimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian.
“Na ka mbetur edhe pak kohë, deri në hapjen e negociatave dhe duhet të sigurohemi që të ndërmarrim me kohë hapat e nevojshëm për të siguruar një proces të shpejtë dhe kualitativ të negociatave me Bashkimin Evropian. Duhet mos harruar që gjatë procesit negociator do të diskutohen interesat e drejtpërdrejta të shtetit tonë, të biznesit vendor, industrisë, sektorit të bujqësisë, të prodhueseve dhe përfundimisht të gjithë qytetarëve të cilët do të përfaqësohen”, deklaroi Thaçi.
Ministrja e Integrimit Vlora Çitaku ka thënë se ë kuadër të bisedimeve, do të mbahen katër takime në nivel të kryenegociatorëve. Sipas saj takime do të mbahen në muajin tetor, nëntor, shkurt dhe maj.
“Afatet kohore që do të vendosen në Marrëveshjen e Stabilizim-Aasocimit do të kenë karakterin e afateve obligative si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me karakter ndërkombëtarë. Mos përmbushja e tyre do të jetë mospërmbushje e obligimeve shtetërore ndaj Bashkimit Evropian dhe si e tillë do të paraqes pengesë të drejtpërdrejtë në kuadër të procesit negociues dhe integrues”, u shpreh Çitaku.
Ndërkohë Ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari tha se, lëvizja e lirë e kapitalit do të rregullohet me legjislacionin aktual.
“Sa i përket lëvizjes së lirë të kapitalit ne jemi konsultuar me aktorët përgjegjës të cilët kemi konfirmuar se lëvizja e lirë e kapitalit është e rregulluar me legjislacionin aktual dhe nuk ka ndonjë kufizim dhe diskriminim gjatë transaksioneve bankare pa marr parasysh se a janë transaksione vendore apo ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë shfrytëzuesit e shërbimeve bankare mund të bëjnë pagesa të ndryshme me legjislacionin aktual dhe nuk ka kufizime rreth origjinës së pagesës. Po ashtu, ligji aktual nuk lejon asnjë diskriminim për personat juridik dhe fizik dhe ndaj prejardhjes së tyre gjeografike”, u shpreh zonja Kusari-Lila.
Ndër të tjera në në këtë takim kanë folur edhe ministra, zëvendësministra dhe udhëheqës të institucioneve tjera që do të kenë obligime për të përmbushur në negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Top Channel