
Kur ka mbetur edhe pak kohë para fushatës elektorale në Kosovë premtimet e mëdha nga zyrtarët qeveritar ka kohë që kanë nisur.
Ministri i Financave Besim Beqaj thotë se në vitin 2014 Kosova pritet të ketë stabilitet buxhetor dhe rritje të pagave. Megjithatë ende nuk dihet ngritja e pagave dhe ende nuk është marrë marr asnjë vendim nga ana e qeverisë.
Me apo pa privatizimin e PTK-së, Qeveria e Kosovës pritet të jetë e gatshme t’i realizojë të gjitha prioritete, përfshirë këtu dhe autostradën e 6-të dhe të gjitha investimet tjera dhe projektet kapitale, që kanë qenë në kornizën afatmesme të shpenzimeve konform planit të paraparë.
Këto garanci ministri i financave Besim Beqaj i dha në një konferencë për media, me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të FMN-së në Prishtinë.
“Ajo çka mund ta konfirmoj sot për qytetarët e Republikës së Kosovës, që ne do të kemi stabilitet buxhetor, pa asnjë lloj dileme, për vitin 2014. Ju e dini që është diskutuar shumë forma se a do të privatizohet apo jo PTK-ja. Me PTK, pa PTK të gjitha investimet kapitale do të jenë të mundshme të realizohen. Do të realizohet buxheti i parashikuar në kornizën afatmesme të shpenzimeve. Njëkohësisht konform edhe diskutimeve dhe premtimeve që janë dhënë nga kryeministri, do të ketë edhe rritje të pagave në Republikën e Kosovës. Kur dhe sa do të rriten, ky vendim nuk është marrë ende. Por vendimi është marrë për t’u rritur dhe do të iu njoftojmë me kohë se sa do të rriten dhe kur do të rriten”, tha zoti Beqaj.
Ndërkohë kryesuesi i delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Johannes Wiegand pohoi se Qeveria ka ndërmarrë qasje të kujdesshme ndaj planifikimit të buxhetit.
Ai po ashtu tha se të gjitha ato shpenzime që mund të përshtaten brenda kufijve të përgjithshëm dhe që nuk e rrezikon stabilitetin financiar në Kosovë janë në rregull dhe se kjo mund të përfshirë, mbase dhe rritjen e pagave.
“Në të dyja këto skenarë, qeveria do të jetë në gjendje që të vazhdojë me prioritetet e saj shpenzuese, sikurse është rruga – autostrada 6-të, duke ruajtur në të njëjtën kohë një balancë të kujdesshme të bilancit bankar të Qeverisë dhe duke mbetur brenda parametrave. Ajo çka jemi pajtuar për kufirin e përgjithshëm të shpenzimeve rrjedhëse janë pagat dhe transfertat dhe subvencionet përfshirë edhe shpenzimet për mallra dhe shërbime. Dhe të gjitha ato shpenzime që mund të përshtaten brenda këtyre kufijve të përgjithshëm nuk e rrezikojnë stabilitetin financiarë në Kosovë. Kjo mund të përfshijë mbase potencialisht edhe rritjen e pagave”, deklaroi Johannes Wiegand, kryesuesi i delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Beqaj më tej tha se Qeveria do ta respektojë bazën ligjore edhe rregullën fiskale e cila, është paraparë se nuk mund të ketë deficit të përgjithshëm për vitin 2014 më shumë se 2 për qind të GDP. Ai tha se për të gjitha këto kanë pozicione të qarta dhe nuk ka probleme.
Top Channel