Ribashkimi i studentëve të dikurshëm 50 vjet më pas

16/09/2013 00:00

U mbushën plot 50 vjet. Gjysmëshekulli larg njëri-tjetrit, por të bashkuar sërish në këtë përvjetor, ku malli për miqtë e rinisë i riktheu në bankat e shkollës së Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës.

“U ulën të gjithë në sallë dhe aty e bëri apelin profesor Tomor Osmani”, deklaroi Bahir Isufi, një nga mësuesit më të vjetër që mbështeti nismën e Naun Kules për një ide që i kishte lindur teksa rastësisht kishte dëgjuar emrat e shokëve të shkollës.

Dëshira dhe kurioziteti për t’i takuar i nxiti edhe më shumë për ta bërë realitet ëndrrën e tyre. “Nxora lajmerim në gazetë për t’i gjetur, ishte një punë 2-vjeçare. Herë pas here mësonim se dikush ishte ndarë nga jeta dhe na vinte shumë keq”.

Vitet kishin kaluar si pakuptuar e ata ishin bërë të huaj, nuk dinin më pothuajse asgjë për njëri tjetrin e portretet iu kishin ndryshuar.

“Takoheshim prej dhjetë vitesh në bibliotekën kombëtare, nuk flisnin se nuk e njihja”, thotë Nauni për Bahirin.

Gjystina Gurakuqi ishte një nga vajzat shkodrane më të bukura të atyre viteve. Para disa kohësh një ish-shok klase i kishte gjetur shtëpinë dhe e kishte ftuar në ribashkimin e rinisë studentore të viteve 1962-’64.

“Me erdhi si e papritur, e kisha harruar, por më ngjalli shumë nostalgji. Tani që jemi të moshuar, të vjen të mendosh e të pyesësh veten në ke qenë ndonjëherë e re”, thotë Gjystina.

Të gjithë nxënësit e asaj klase kanë dalë mësues, përvec Kastriot Fallanës, djaloshit nga Vlora që iu mohua e drejta e mësimdhënies nga sistemi.

Megjithatë, edhe pas kaq shumë vitesh ai e realizoi ëndrrën e tij. Ka hapur një aktivitet privat, ku për çdo ditë gjatë vitit shkollor jep mësim. Takimi pas kaq shumë kohësh me shokët e bëri të ndjehet krenar.

“Kam një vajzë farmaciste. Kënaqësi më të madhe nuk kam pasur se ky takim. i tregova fëmijëve se edhe babai i tyre që ka vuajtur aq shumë ka pasur shokë”, shprehet Kastrioti.

Duke menduar Gjystina kujton kohët e bukura që as vetë nuk e kupton sesi ato ngjarje i ishin ngulitur thellë në kujtesë.

““Kur mungonte ndonje pedagog mezi prinim te dilnim, shkonim te lulishtja Luigj Gurakuqi apo në ndonjë kinema… këto ishin atehere”, kujton Gjystina.

Dita e takimit, i la disa prej tyre edhe pa gjumë. Nuk iu kishte shkuar ndonjëherë në mendje se mund të rishiheshin, e disa prej tyre kishin sjellë ndërmend emocione nga më të ndryshmet.

“U takuam me shume vajza e shoqe, e ndonje e kemi dashur edhe ne ndonje rruge tjeter. Ishin gjalle akoma, dikush ka pasur simpati per Frosinen, une me Lumnie Dizdarin, por jeta nuk te çon atje ku ke menduar”, rrëfen Kastrioti.

Këtë ngjarje e kanë shndërruar në monument, kanë botuar një libër ku cdo shok apo shoqe ka një foto gjatë shkollës e një aktuale, CV-në dhe një mbresë të shkurtër gjatë këtyre 50-viteve që nuk janë parë.

Tashmë ata kanë lënë takim… çdo të shtunë në orën 10 mund t’i rastisni edhe ju kur jeni duke pirë kafen e mëngjesit.

Top Channel