Vdes njeriu më i vjetër në Botë

15/09/2013 00:00

Ndërroi jetë në moshën 112-vjeçare njeriu më i moçëm në botë, i pranuar si i tillë në Librin e Rekordeve Botërore të Guiness-it. Salustiano Sanchez, i lindur në Spanjë, mbylli sytë në azil, në Grand Island të Nju Jorkut, në Shtetet e Bashkuara.

Ai u vlerësua nga Gines si njeriu më i vjetër në planet pas vdekjes së 116-vjeçarit japonez Jiroemon Kimura. Sanchez, i cili punoi në plantacionet e kallamsheqerit ne Kubë përpara se të emigronte në Shtetet e Bashkuara, ku punoi në minierat e qymyrgurit dhe ndërtim, ia dedikoi jetëgjatësinë bananes që hante çdo ditë dhe marrjes së medikamentit Anacin, një përzierje e aspirinës dhe kafeinës.

Sanchezit i pëlqente të merrej me kopshtari, të bëntë fjalëkryqe, si dhe të luante me letra çdo mbrëmje me miqtë. Ai njihej edhe për talentin muzikor, duke i rënë Dulthainias, një instrument i përafërt me oboen. Ai shkoi në shkollë deri në moshën 10 vjeç.

Mbërriti në SHBA në fillim të viteve ‘30. U martua në vitin 1934 dhe ka dy fëmijë, shtatë nipër, 15 stërnipër dhe pesë stër-stërnipër, duke iu referuar Librit të Guinnes-it.

Pas vdekjes së tij, rekordi i kalon 111-vjeçarit italian Arturo Likata. Ndërsa gruaja më e vjetër është Misao Okaua nga Japonia, 115 vjeç. Mosha më e lartë e një njeriu është mbajtur nga francezja Zhan Luiz Kalma: 122 vjeç e 164 ditë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta