Kur dukej se gjithçka ishte gati për të filluar një luftë të re, Amerika bën një hap pas. E shumëdiskutuar si ndërhyrja ushtarake që mund ta çonte gjithë botën në luftë, sulmi ndaj Sirisë u ndalua falë një propozimi rus që regjimi i Bashar Al-Assadit të dorëzojë armët kimike. Ky propozim gjeti përkrahjen e të gjitha vendeve, duke përfshirë dhe qeverinë siriane, por nuk u mirëprit nga kryengritësit atje.

Shkenca bën një tjetër hap gjigand, pasi objekti i parë i krijuar nga njeriu, anija kozmike “Voyager 1” tashmë po lëviz jashtë Sistemit Diellor. E lëshuar në vitin 1977, “Voyager 1” u dërgua fillimisht për të studiuar planetët e largët, por vazhdoi pa u ndalur dhe tani ndodhet në hapësirën ndëryjore. Misioni veteran i NASA-s është thuajse 19 miliardë kilometra larg shtëpisë. Distanca është kaq e madhe sa duhen 17 orë që sinjali i radios të dërgohet nga “Voyager 1” për të mbërritur këtu në Tokë.

Ka nisur të merret me not që në moshën 6-vjeçare dhe sot është një nga kampionët me të cilët Shqipëria krenohet nëpër botë. Binald Mahmuti ka arritur të shpallet kampion Shqipërie çdo dy vjet. Ai mban më shumë se 13 medalje ndër të cilat 7 ari, 3 argjendi dhe 3 bronzi. Nëse vazhdon me këto ritme, përgatituni që këtë emër ta dëgjoni të lakohet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Përmes inovacioneve teknologjike, Steve Jobs i la një pasuri të madhe njerëzimit. Në Hollandë është hapur një sistem i ri mësimor i bazuar tërësisht në një nga krijesat e Jobs, tek iPad. Tashmë fëmijët nuk janë të detyruar të shkojnë në shkollë dhe të nxjerrin librat, por iPad-in. Ndërsa mënyra e të mësuarit është tërësisht individuale. Kjo formë e re ka ngjallur debat, disa e përkrahin metodën e re të mësimdhënies, por ka nga ata që janë skeptikë dhe përkrahin metodën e vjetër.

Top Channel