Ministrat do të lënë mandatin në mënyrë progresive

11/09/2013 00:00

Duke nisur nga java tjetër, 19 ministrat e kabinetit të Kryeministrit
Edi Rama do të nisin procesin e dorëheqjes nga mandati i deputetit për
t’ia lënë vendin deputetëve të tjerë në listat e qarkut prej nga e morën
këtë mandat.

Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” se ky proces do të bëhet mbi bazën e një rregulli të mirëcaktuar, për të mos lejuar humbjen e mazhorancës parlamentare. Në secilën nga javët, ministrat sipas qarqeve, pritet të nisin procesin e dorëheqjes.

Brenda një jave nuk do të lejohen më shumë se tre dorëheqje dhe pritet të hartohet një axhendë e mirëpërcaktuar për këtë procedurë. Procesi nuk do të ndahet mes ministrave të PS-së apo Lëvizjes Socialiste për Integrim, por mbi qarqe të caktuara, në seanca të caktuara. Ky proces do të zgjasë rreth 8 javë, nisur nga nevoja për të mos krijuar vakum të panevojshëm votash në Parlament.

Procesi i lënies së mandateve do të prekë 8 qarqet e vendit, duke nisur nga ai i Gjirokastrës, Fierit, Beratit, Durrësit, Lezhës, Dibrës, Tiranës dhe Elbasanit. Ndërkohë, nëpër qarqe ka nisur procesi i marrëveshje mes përfaqësuesve të listës në lidhje me faktin se kush do ta marrë mandatin e lënë nga ministrat e kabinetit “Rama”.

Kodi Zgjedhor thekson në mënyrë të qartë se të gjitha qarqet, të cilat kanë marrë penalitete nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mosrespektimin e kuotave gjinore në lista, në rast dorëheqje nga mandati, përfitojnë femrat, pavarësisht renditjes së tyre në listë. Por përveç kësaj, Kodi lejon edhe marrjen e vendimeve personale. Futja në lojë e së drejtës së çdo kandidati femër për t’u tërhequr nga mandati i deputetes dhe për t’ia lënë vendin kandidatit që vjen menjëherë pas fituesit e ndërlikon situatën.

Në këto kushte, femrat të cilat përfitojnë të drejtën të marrin mandatin janë përballë dilemave dhe për pasojë, pritet që ato të marrin vendime individuale. Nga tërheqja e katër deputetëve të Qarkut të Tiranës për t’u bërë ministra, kodi i jep të drejtën Blerina Gjylametit dhe Erjeta Alhysës për të marrë mandatin dhe lë jashtë kandidatët Alfred Dalipi dhe Sadi Vorpsi. Në Durrës, Esmeralda Shkjau merr mandatin përpara Shkëlqim Troplinit, në Dibër, Esmeralda Hoxhës i jepet kjo e drejtë përpara Hasan Cenit, ndërsa në Elbasan, Luljeta Arapi e përfiton mandatin, duke lënë jashtë Arben Kamamin.

Burimet bënë të ditur se situata e ngjashme në Qarkun e Lezhës, ku si pasojë e tërheqjes së deputetes Mimi Kodheli, mandatin duhet ta merrte një femër, por është zgjidhur mënyra e tërheqjes që pritet të bëjë kandidatja Mejreme Delishi. Në këtë rast, mandati i deputetit do t’i takojë kandidatit të socialistëve, i renditur i treti në listë dhe shkon për Arben Ndokën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA