Rrjeti i tuneleve të Romës së lashtë

10/09/2013 00:00

Pishinë, arenë gladiatorësh, bibliotekë dhe sallë mbledhjesh me këshilltarët e tij ushtarakë, të gjitha këto të ndërtuara përreth pallatit perandorak.

Bëhet fjalë për mbetjet antike nga madhështia e Romës së lashtë. Njëra prej periudha ku kjo perandoria lulëzoi më shumë ishte ajo e nën udhëheqjen e perandorit Adrian.

Por poshtë rrezeve të diellit dhe luksit në sipërfaqe, nën këmbët e Adrianit ishte një botë e errët. Bëhet fjalë për rrjetin e tuneleve të ndërtuara prej tij e që arkeologët kanë zbuluar kohë më parë.

Megjithatë, arkeologët thonë se sa herë që vizitojnë këto tunele, gjithnjë ka dicka të re për të zbuluar, mësuar apo kuptuar nga jeta e Romës së lashtë.

Së fundmi, një grup specialistësh zbuluan se rrjeti i tuneleve nëntokësore të ndërtuara poshtë vilës së Adrianit, që sot mbahet si një mrekulli arkitekturore, është akoma më mbresëlënës nga sa mendohej deri më tani.

Për vite me radhë ky rrjet tunelesh që lidhte ndërtesat e Romës perandorake me njëra-tjetrën, thuajse u la në harresë, deri kur së fundmi një grup arkeologësh vendosi të futet në nëntokë për të ndërtuar hartën e plotë të tuneleve.

Falë kësaj ekspedite, sot dimë shumë më tepër për shtrirjen e plotë të këtyre tuneleve 2000-vjeçarë.

Kufijtë e Romës shtriheshin nga Anglia deri në Lindjen e Mesme. Ç’i duheshin Adrianit këto tunele? Sigurisht ndërtimi i tyre është bërë për vite me radhë dhe misioni fillestar mendohet se ka qenë ai i sigurisë. Por së fundmi, studiuesit thonë se tunelet janë përdorur nga skllevërit, shërbëtorët dhe gladiatorët e shumtë të perandorit Adrian, në mënyrë që këta të fundit të mos lëviznin në sipërfaqe duke prishur qetësinë në pallatin e tij perandorak.

Adriani drejtoi perandorinë romake nga viti 117 deri në vitin 138. Ai u bë i famshëm edhe për ndërtimin e murit që mban emrin e tij në Britani, që ndante zotërimet romake me pjesën veriore të vendit, të panënshtruar ndaj perandorisë.

Top Channel