Dashuria është nga Përmeti, kurse Nehati nga Kurveleshi. Kanë dy fëmijë të rritur dhe tashmë janë duke jetuar rininë e dytë. Kanë një apartament të vogël dhe kanë ruajtur një stil arredimi që i lidh me shumë momente të bukura e situata të paharrueshme.

Megjithëse, vitet kanë kaluar pa u ndjerë njëri pas tjetrit ata ende vazhdojnë të jenë të lidhur pas fëmijëve dhe dëshirës për të qendruar me ta nën të njejtën çati.

“Jetojmë vetëm se kushtet janë shumë të vështira, jemi ngushtë e kemi patur dhe akoma e kemi të vështirë jetën pa fëmijë”, deklaroi Dashuria.

Ishin të rinj kur u martuan e më pas të angazhuar totalisht në rritjen e shëndetshme dhe shkollimin e djalit dhe vajzës, por një moment e kuptuan se frytet e dashurisë së tyre kishin hedhur hapa të sigurtë jo vetëm në karrierë, por edhe në krijimin e familjeve të vogla.

Të gjendur në këtë situatë ata vendosën të angazhohen dhe të shijojnë bashkëjetesën me njëri-tjetrin.

“Mundohemi të dalim sa më shpesh, të aktivizohemi me njerëzit që na rrinë pranë. Të dalim dhe të pimë ndonjë birrë e meze”, rrëfen bashkëshortja.

Dashuria tregon se ka marrë pjesë në filmin “Furtuna” dhe ka qenë shumë e lidhur me artin që në moshë të re.

“Kam qenë gjithmonë e kohës. Kam marrë pjesë në videoklipe, nëpër filma, reklama, nxjerr mërzitjet dhe ankthet për femijet, mundohem t’i heq nga mendimet”, tregon Dashuria.

Edhe pas kaq shumë vitesh i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, është e çlirët e pa emocione dhe pa kompleksin e kamerave, kështu që herë pas herë i gëzohet ofertave të këngëtarëve për të qenë pjesë e videoklipeve të tyre siç është Sidrit Bejlerit me “Këngë Nusërie” dhe “Babë e Nanë” nga Afërdita Demaku.

Bëjnë bashkë punët e shtëpisë, përgatisin vaktet dhe shpesh dalin edhe me miqtë e tyre.

“Nuk ndahemi kurrë me njëri-tjetrin. Tani që jetojmë vetëm na duket sikur rinohemi”, shprehet ende i dashuruar pas kaq dekadash, Nehati.

Top Channel