Irlanda, Trapattoni drejt lamtumirës

10/09/2013 00:00

Po shkon drejt finishit aventura e Giovanni Trapattoni në drejtimin e
Irlandës. Ka qenë vetë tekniku që ka pranuar se qëndrimi i tij në Dublin
i ka ditët e numëruara.

Ai mund të mbyllet që nesër kur matematika rrezikon të ndëshkojë Irlandën e tij. Pas humbjes në shtëpi me Suedinë, vetëm një fitore në Austri do të mbante gjallë shpresat për aderimin në Botërorin 2014.

Një objektiv që ka pak gjasa të arrihet dhe Trapattoni nuk e fsheh. “Pas këtyre kualifikimeve nuk besoj se do të vazhdoj. Madje, me siguri kualifikimi nuk do të ndodhë”, ka thënë 74-vjeçari.

“Në pesë vjet besoj se kemi arritur rezultate pozitive. Kemi ndryshuar skuadrën, kemi përmirësuar renditjen botërore, kemi testuar lojtarë dhe kemi futur elementë të rinj”, ka vijuar ai.

Sipas teknikut, Irlanda meritonte të kualifikohej për në Botërorin e Afrikës së Jugut, “por ndeshja me Francën e dinë të gjithë se si përfundoi”, ka nënvizuar ai.

“Pastaj erdhi kualifikimi për Euro 2012. Tani, vendi i tretë mund të jetë një rezultat i mirë për ne. Deri të shtunën mendoja se ende mund të kualifikoheshim, por tani gjithçka është më e vështirë”, ka shtuar Trapattoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB