F1, Vettel-Alonso, “sherri” për dritën e kuqe

10/09/2013 00:00

Në garën e Monzës, Sebastian Vettel pati një problem me dritën e kuqe të makinës së tij Red Bull. Kjo dritë, që ndizet vetëm kur gjatë garës ka reshje shiu, për shkak të një problemi qëndroi e ndezur gjatë gjithë kohës në makinën Red Bull të pilotit gjerman edhe pse nuk binte shi.

Fernando Alonso, i cili pothuajse gjatë gjithë kohës ishte pas tre herë kampionit të botës, u ankua në radio për këtë dritë që pulsonte vazhdimisht dhe kur u pyet nga një gazetar italian për këtë episod në konferencën e shtypit pas garës, ndërhyri Vettel: “U ankove për dritën?”

Alonso ia ktheu me një të qeshur të sforcuar: “Po, po, të bezdiste pak. Është një dritë shumë e fortë kur nuk ka shi.”

Spanjolli i Ferrarit vazhdoi: “Sigurisht që Vettel nuk e kupton pasi nuk është mësuar të ketë makina para vetes, por është e lehtë të heqësh atë dritë. Mjafton të shtypësh një buton tek timoni.”

Vettel u kundërpërgjigj duke thumbuar: “Unë u mundova të të shkëpusja që mos të më shihje dritën.” Dhe Alonso e mbylli: “Problemi është se nuk u shkëpute.”

Nga rubrika “diskutim kampionësh”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB