Andrea Stefani – Lulzim Basha u ngjit në postin e kryetarit të Bashkisë
së Tiranës me sloganin “Qytetarët janë të parët”! Por pak ditë më parë,
ndërsa përuronte nisjen e punimeve për bulevardin e ri, Basha u përball
me një protestë të shumë qytetarëve të Tiranës.
Ishin pjesëtarë familjesh, të cilëve do t’u prishen shtëpitë në funksion të ndërtimit të bulevardit. Ata protestojë sepse u është caktuar nga Bashkia një kompensim financiar disa herë më i vogël se sa vlera reale e banesave të tyre në raport me çmimet e tregut. Një operacion që ngjason thelbësisht me shtetëzimet e dhunshme komuniste. Një goditje arrogante e pronës private të qytetarëve nga një pushtet i epërm. Ndaj dhe qytetarët e kanë kuptuar se në politikat e demokratikasit Basha, ata jo vetëm nuk janë të parët, por se interesat e tyre po sakrifikohen për interesa të tjera që vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës i di. Prandaj protestojnë.
***
Mos duan të na thonë se ndërtimi i bulevardit të ri është një interes publik për përmbushjen e të cilit duhet të sakrifikohen të tjera interesa, që nuk para kanë shumë rëndësi? Të pranosh një gjë të tillë do të thotë të rikthehesh në mendësinë dhe ideologjinë e komunizmit, sipas të cilave interesi personal sakrifikohej për hir të interesit të përgjithshëm. Në fakt, interesi publik është shumë i rëndësishëm edhe për një shoqëri demokratike. Por ndryshe nga diktaturat, në demokraci, interesi publik nuk përmbushet duke bërë kurban interesat personale, sado të vogla qofshin ato. Përkundrazi, në demokraci interesi publik realizohet nëpërmjet përmbushjes dhe jo sakrifikimit të interesave personale, sikundër për fat të keq po ndodh edhe me shpronësimet e familjeve tiranase. Ajo që po ndodh në këtë rast provon se mendësia komuniste e pushtetit që mund të nëpërkëmbë si të dojë interesat e qytetarëve, duke shpërfillur të drejtën, është ende e pranishme në kokat e demokratikasve të kallëpit Basha.
***
Përjashtuar kompensimit mjeran prej 26 mijë lekësh për metër katror hapësirë banimi (në një kohë që çmimi i tregut në atë zonë nuk është më pak se 1200 euro për metër katror), arroganca e manifestuar nga Lulzim Basha dhe ekipi i tij ndaj interesave dhe jetës së banorëve i ngjason si pika e lotit pikës së lotit, shpronësimeve brutale të kohës së komunizmit. Sepse 26 mijë lekë janë, me kursin aktual, 180 euro pra, familjet e shpronësuara marrin 1/6 e vlerës që u takon sipas çmimeve të tregut. Kësaj i thonë të shpronësosh popullin në emër të popullit. Kompensimi që u ofrohet banorëve është vetë gjethja e fikut e hallateve të grabitjes që u bëhet qytetarëve nga bashkia. Do ta rinegocioj çmimin e shpronësimit, – u detyrua të premtojë Basha, i gjendur përballë kundërshtimeve të vendosura të qytetarëve. Por pyetja shtrohet, se si është e mundur që një kryetar bashkie të planifikojë të nxjerrë nga shtëpia njerëz, duke mos u dhënë kompensimin e drejtë që atyre u përket në raport me çmimin e tregut? Mos vallë nuk i dinte çmimet e tregut? Nëse është kështu, atëherë duhet thënë se ai nuk e ka mendjen fare në punë. Por mbetet edhe një problem tjetër. Me kë do ta negociojë Basha çmimin e kompensimit? Me qeverinë “Rama”? Por nëse vetë qeveria “Berisha” nuk i kishte paratë për të kompensuar plotësisht qytetarët, pse duhet t’i ketë ato para qeveria “Rama”, që as nuk është angazhuar për projektin në fjalë?
***
Konflikti që po shpaloset tregon se sa pak seriozë janë treguar qeveria “Berisha” në largim dhe kryetari i bashkisë Basha me interesat e qytetarëve të Tiranës. Sepse gjëja e parë që bën një pushtet kur ndërmerr një shpronësim, është të llogarisë kostot publike të kompensimit financiar të atyre që shpronësohen në përputhje me çmimet e tregut. Sepse këta qytetarë, që detyrohen të lënë shtëpitë e dashura për një interes publik, duhet të kenë shansin të përfitojnë të tjera shtëpi, me të njëjtën vlerë sa ato që detyrohen të braktisin pa dëshirën e tyre. Kjo është logjika e shtetit të së drejtës që e vlerëson pronën private të shenjtë e të paprekshme. Ndërsa procedura që po zbaton Bashkia e Tiranës, është një arrogancë e poshtër, e padrejtë si çdo arrogancë dhe që nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës. Kjo është, as më shumë dhe as më pak, një grabitje e pasurisë së qytetarëve. Është njësoj si t’ia marrësh mallin një tregtari nga dyqani dhe t’i paguash vetëm një të gjashtën e çmimit me justifikimin se kjo bëhet për të mirën publike. Gjithkush e kupton se një grabitje e tillë ditën për diell, nuk ka asgjë të përbashkët me të mirën publike. Sepse kjo e fundit, presupozon më të mirën për qytetarët. E mira publike është humanizëm. Vetëm në diktatura “e mira publike” krijohet duke sakrifikuar interesin e qytetarëve. Vetëm në diktatura, dhe në qeverisje si këto të Lulzim Bashës, qytetarët jo vetëm nuk janë të parët, por janë ata që e hanë të parët!
Top Channel