Shoqata që përfaqëson klubet europiane u shpreh e hapur mbi mundësinë që Botërori i Katarit në vitin 2022 të zhvillohet në dimër.
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka shprehur më përpara këtë ide, bazuar në shqetësimin e tij për kushtet atmosferike të verës në Katar, periudhë gjatë së cilës temperaturat qëndrojnë në mënyrë të vazhdueshme midis 40-50 gradë celcius.
Ndonëse ideja duhet të pranohet më parë nga Federatat e futbollit të vendeve pjesëmarrëse në Botëror dhe disa kampionate, mbi të gjitha Premier League kanë shprehur kundërshtimin e tyre, Karl-Heinz Rummenigge, presidenti i Shoqatës së Klubeve Europiane e cilësoi veten të hapur mbi këtë ide.
“Mbase do të jetë më mirë që të luajmë në dimër. Megjithatë, nuk nxitojmë. Mbeten ende edhe nëntë vite deri në Botëror, ka ende kohë të bollshme për të diskutuar këtë ide”, deklaroi Rummenigge.
Në lidhje me një koment të Blatter, i cili nënkuptoi në një deklaratë se përzgjedhja e Katarit si një vend organizator mund të ketë qenë një gabim, zëvendëspresidenti i Bajernit tha: “Pasi vizitova Katarin në asamblenë tonë të përgjithshme, ndihem shumë optimist dhe i lumtur që përzgjodhëm këtë vend si organizator”.
Top Channel