Juventusi blindon mesfushën

07/09/2013 00:00

Pas përfundimit të merkatos verore dhe refuzimit të ofertave të majme që mbërrinin në Torino për mesfushorët, drejtuesit e Juventusit kanë nisur punën për të blinduar këtë repart.

Sipas mediave italiane, bardhezinjtë kanë nisur punën me rinovimin e kontratës me Vidal. Të njëjtat burime thonë se palët janë pranë me qendrimet e tyre dhe se zyrtarizimi pritet të publikohet pas ndeshjes me Interin.

Përflitet se kontrata e re e Vidal e lidh atë deri në vitin 2018 me skuadrën e Juventusit. Kileni, që aktualisht përfiton 2.8 milion euro, do të përfitojë në 4 vitet në vazhdim 5 milion euro plus bonuse, ndërsa klauzola e largimit nuk do të jetë nën 40 milion euro.

Një tjetër rinovim është ai me Pol Pogba. Talenti francez ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin duke përfituar edhe nga mungesa e Marchisio-s për shkak të dëmtimit. 20-vjeçari, që aktualisht është në kushtet e një kontrate prej 1 mln eurosh në sezon, do t’i propozohet një kontratë e re deri në vitin 2018.

Sipas kësaj kontrate, Pogba duke filluar nga sezoni i ardhshëm do të përfitojë 2.5 mln euro me klauzolën për t’u rritur edhe më shumë në bazë të paraqitjeve të futbollistit. Kontrata do të lidhe mesfushorin e talentuar francez me Juventusin deri në vitin 2018, ndërsa klauzola e largimit të tij nuk do të jetë nën 50 milion euro.

Por vec dyshes Vidal-Pogba, drejtuesit po punojnë për të mos humbur asnjë element nga mesfusha aktuale, e vlerësuar si një ndër më të mirat në botë. Sipas mediave italiane, në dhjetor drejtuesit e Juventusit pritet t’i shtrojnë një kontratë 1+1 Andrea Pirlo-s. “Dirigjentit” të mesfushës bardhezi i skadon kontrata aktuale në qershor të 2014-ës dhe Juventusi nuk dëshiron të humbasë përvojën e tij.

Top Channel