Irani, plane për hakmarrje ndaj SHBA-ve

07/09/2013 04:25

Shtetet e Bashkuara kanë marrë një raport nga inteligjenca, i cili tregon se Irani “mund të jetë duke planifikuar” një sulm hakmarrës kundër Ambasadës amerikane në Baghdad, nëse SHBA-të do të nisin një sulm ushtarak kundër Sirisë, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN.

Ai shtoi se Irani ka “shumë miq shiitë” në Irak, të cilët do të kishin dëshirë të kryenin sulmin në fjalë. Zyrtari iu përgjigj një raporti të publikuar nga Wall Street Journal se Shtetet e Bashkuara kishin kapur një urdhër nga Irani drejt militantëve në Irak të sulmonin ambasadën dhe “interesat e tjera amerikane në Baghdad”, nëse SHBA-të do të sulmonin ushtarakisht Sirinë, pas akuzave për përdorimin e armëve kimike.

Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk ka komentuar mbi këtë raport, ndërkohë që nuk ka ndërmarrë ende ndonjë veprim sigurie sa i përket vendeve diplomatike amerikane në Irak.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi lideri Ayatollah Ali Khamenei i Iranit kishte thënë gjatë së enjtes, se Shtetet e Bashkuara – të cilët, përveç se janë një nga kundërshtarët kryesorë të tyre, kanë udhëhequr thirrjet për të ndëshkuar qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, pas përdorimit të armëve kimike – nuk kanë të drejtë të bëjnë “kërkesa humanitare, duke pasur parasysh historinë e kaluar” në Irak, Afganistan dhe në burgun ushtarak të Guantanamos, në Kubë.

Trazirat në Lindjen e Mesme – tha lideri iranian në deklaratën e raportuar nga media shtetërore “Press TV” – vijnë “si pasojë e arrogancës globale”, që i ka rrënjët në Washington. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të godasin Sirinë – shtoi ai – ata nuk do të mund “të eliminojnë rezistencën”.

“Ne besojmë se amerikanët po kryejnë një marrëzi e gabim në Siri, ndaj dhe do të përballen me një goditje, nga e cila padyshim që do të vuajnë”, tha Khamenei.

Ambasada amerikane në Baghdad, gjatë një rikonstruksioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA