Ditën e premte janë zhvilluar edhe ndeshjet e tjera kualifikuese për kampionatin botëror “Brazil 2014”, ku kampionja në fuqi e botës dhe Europës, Spanja ka mposhtur 2-0 Finlandën në transfertë, duke fituar 3 pikë decizive në betejën për kualifikim në grupin I, tashmë 3 pikë larg Francës së bllokuar në barazim pa gola në Gjeorgji. Golat për spanjollët u shënuan nga Jordi Alba dhe Negredo.
Italia triumfon 1-0 ndaj Bullgarisë në Palermo, sa i përket grupit B, dhe “blindon” kualifikimin për në botëror. Skuadra e Prandelli-t i falet golit me kokë të Gilardino-s në minutën e 38, pas krosimit nga Candreva. Të kaltrit vuajnë në pjesën e dytë, ku dallon Buffon, i cili shpëton portën e tij disa herë nga goli. Të martën, në rast fitoreje kundër Republikës Çeke, “Azzurri”-t do të sigurojnë matematikisht pjesëmarrjen në Brazil.
Po në të njëjtin grup, Armenia bën surprizën duke mposhtur çekët 2-1, të cilët kishin barazuar përkohësisht me Rosiçky-n, por Mkrtchyan dhe Ghazaryan befasojnë vendasit. Edhe Danimarka ka dalë fituese nga transferta e Maltës, 2-1, duke u barazuar me pikë me Çekinë dhe Armeninë, të gjitha në kuotën e 9 pikëve, vetëm 1 më pak se Bullgaria e vendit të dytë.
Misione pothuajse të përmbushura për Gjermaninë, në grupin C, dhe Belgjikën, në grupin A. Gjermanët mundin 3-0 Austrinë, me gola të Klose, Kroos dhe Muller, dhe janë vetëm një hap larg sigurimit të biletës për në Brazil, ndërkohë që kombëtarja “flamange” fiton 2-0 në Skoci dhe mbetet në krye të grupit, ku u luajt edhe derbi i zjarrtë mes Serbisë dhe Kroacisë, që përfundoi në barazim 1-1, edhe pse kroatët kaluan të parët në avantazh me Mandzukiç.
Fiton edhe Suedia e Zlatan Ibrahimoviç, 2-1 në “Aviva Stadium” të Dublinit, duke vendosur në vështirësi serioze Irlandën e Trappattoni-t, sa i përket kualifikimit në Brazil, qershorin e vitit 2014. Shënon Robbie Kean për vendasit, por Elmander dhe Svensson i japin një goditje shpresave irlandeze dhe vendosin Suedinë 3 pikë para Austrisë dhe skuadrës nga Dublini.
Emocione të mëdha në grupin F, ku Russia e trajnerit italian Capello mposht 4-1 Luksemburgun, por i kundërpërgjigjet pak orë më pas Portugalia, me fitoren 4-2 ndaj Irlandës së Veriut, të drejtuar nga një tjetër teknik italian, Trappattoni. Vlen të theksohet “tripleta” e Cristiano Ronaldo-s për portugezët, gola të shënuara në pjesën e dytë kur ekipi u gjend në disavantazh të përkohshëm 2-1. Portugalia mbetet me 2 pikë më shumë se Rusia, por me një ndeshje më shumë se sa ata.
Edhe në grupin H kualifikimi mbetet i hapur. Anglia shënon “poker” ndaj Moldavisë dhe kap në krye Malin e Zi, rival që u ndal në barazim 1-1 në transfertën e Polonisë. Për “3 luanët” shënuan Gerrard, Lambert (goli i dytë me kombëtaren) dhe dopietë Danny Welbeck. Ndërsa Lewandowski mban ende në garë Poloninë, duke barazpeshuar gjithçka ndaj malazezëve, pas golit të Damjanovic.
Ndalen në barazime Holanda dhe Zvicra, dy rezultate të tjera surprizë, pasi humbasin pikë respektivisht ndaj Estonisë dhe Islandës. “Portokallinjtë”, të cilët kaluan të parët në avantazh me golin e Robben, pësuan dy gola nga Vassiljev në secilën pjesë, por shpëtohen në minutën e 94, pas penalltisë së konvertuar në gol nga Van Persie.
“Helvetët” pësojnë gol, shënojnë 3 të tjerë në pjesën e parë dhe 1 në të dytën (dopietë e Lichtsteiner, gol i Xhemajlit dhe Schar), por Gudmundsson dhe Sigurdsson surprizojnë për islandezët. Megjithatë, Holanda dhe Zvicra mbeten sërish në vendet e para të grupeve D dhe E. Bie gjithashtu edhe Shqipëria e De Biasi-t, u mposht 1-0 nga Sllovenia, duke rënë në vendin e tretë, pas parakalimit të Norvegjisë, që mposhti Qipron 2-0.
Bosnja befasohet në shtëpi nga Sllovakia e Hamsik, 0-1, teksa kapet në krye të grupit nga Greqia, e cila fiton me të njëjtin rezultat ndaj Lichtenstein, sa i përket grupit G.
Top Channel