Një adoleshent në Nju Jork ka humbur jetën kur një helikopter prej lodre, i telekomanduar, e ka goditur në kokë dhe në qafë.
Roman Pirozek, 19 vjeç, u shpall i vdekur në një park në lagjen Brooklyn, ku të apasionuarit provojnë zakonisht mjetet fluturuese të telekomanduar.
Policia lokale deklaroi se Pirozek ishte përpjekur të bënte një lëvizje, por diçka nuk shkoi me telekomandën dhe helikopteri ra sipër tij.
“Shumica e venave të gjakut në qafën e tij ishin prerë dhe ai humbi gjak shumë shpejt”, ka saktësuar ndërkohë një punonjës i urgjencës që mbërriti në vendngjarje.
Ndërsa policia nuk e publikoi modelin e helikopterit që Pirozek po përdorte në momentin e aksidentit, një video e publikuar në korrik nga një person i afërt me 19-vjeçarin tregonte një “Align T-Rex 700N DFC” të drejtuar prej tij me shpejtësi të lartë.
Rich Hanson, një ekspert mjetesh fluturuese, tha për agjencinë “Associated Press” se modeli përfshihej në një rreze të gjatë kontrolli në distancë dhe kishte helika të gjata 1.4 metër.
Hanson tha gjithashtu se vdekja e 19-vjeçarit është e dyta që ndodh në Shtetet e Bashkuara nga një helikopter i telekomanduar në distancë.
Top Channel