Papa Françesku do të pagëzojë fëmijën e palindur të një 35-vjeçareje, e cila vendosi të mbajë foshnjen pavarësisht presionit të babait për ta abortuar.
Anna Romano i kishte shkruar më parë Atit të Shenjtë të Vatikanit një letër emocionale në të cilën i përshkruante historinë e saj prekëse.
E reja ishte dashuruar me një mashkull, me të cilin kishte mbetur shtatzanë, moment në të cilin ajo mësoi se në të vërtetë ai nuk ishte ai që i kishte thënë, por një burrë i martuar që nuk donte një fëmijë tjetër dhe që i bëri një presion të vazhdueshëm për të abortuar.
Megjithatë, gruaja gjeti forcë të përballonte presionin, te ndahej prej tij dhe të mbante e vetme fëmijën, fakte që i shkroi në letrën drejtuar Françeskut.
Pasi u konsultua me këtë letër, Papa befasoi të renë nga qyteti i Arecos, në Italinë Qendrore, kur e telefonoi të premten për ta pyetur për shëndetin e saj, për atë të foshnjes, duke i dhënë kurajo dhe duke i premtuar se do të jetë vetë ai që do të udhëheqë ceremoninë e pagëzimit.
”Nuk prisja ndonjëherë të merrja përgjigje. Madje, letrës as nuk e dorëzova normalisht, duke i vendosur pullë apo e regjistruar, por thjesht e futa në një kuti postare. Pastaj, një ditë pashë një telefonatë nga Roma, me një prefiks të ndryshëm telefonik (06, ai i Vatikanit) dhe sapo personi në anën tjetër të telefonit nisi të fliste, e njoha atë si Papa. Mbeta e shtangur, por ai më tha që kishte lexuar letrën time dhe që donte të më thonte se nuk isha e vetme e se ishte i shqetësuar për mua. Ndonëse ishte vetëm një telefonatë, zemra ime u mbush me një gëzim të parrëfyeshëm dhe në të njëjtin moment foshnja nisi të shkelmonte”, rrëfeu historinë e saj prekëse Anna.
Top Channel