
Të dhënat e fundit zyrtare mbi ecurinë e çmimeve konfirmojnë se ekonomia është mbërthyer nga një krizë e thellë konsumi. Instituti i Statistikave raportoi se në gusht inflacioni ra në 1.2 për qind krahasuar me një vit më parë.
Ky është niveli më i ulët që nga janari i vitit të kaluar, duke reflektuar kërkesën e dobët për mallra dhe shërbime në ekonomi. Prej gati dy vitesh ritmi i rritjes së çmimeve ka qenë në kufirin e poshtëm të objektivit ligjor.
Një situatë e cila i ka diktuar Bankës së Shqipërisë lehtësimin e politikës monetare në ekstremet historike, duke e ulur normën bazë disa herë me radhë deri në 3.5 për qind. Por kriza e konsumit duket e thellë.
Tkurrja e të ardhurave, por edhe hezitimi i familjeve për të shpenzuar vazhdon të bëjë presion mbi bizneset për të mos i rritur çmimet e produkteve të tyre.
Ndonëse në dukje një lajm i mirë që lehtëson kostot e jetesës për familjet, në fakt rënia e inflacionit në këto nivele ka pasoja negative dhe mund ta zhysë ekonominë në atë që ekonomistët e quajnë kurthi i deflacionit.
Ku ulja e çmimeve përveçse stimulon prirjen për kursim tek individët, tkurr të ardhurat e biznesit, duke i detyruar ndërmarrjet të shkurtojnë kostot, përfshirë dhe krahun e punës.
Një qerthull negativ ku rënia e çmimeve dikton rënien e kërkesës dhe anasjelltas, që ka rezultat final thellimin e krizës dhe rritjen e papunësisë.
Top Channel