Lajmërimet apo imazhet ndërgjegjësuese për dëmet që shkakton duhanpirja nuk kanë pothuajse asnjë efekt midis konsumatorëve të rinj, sugjeroi një studim i publikuar në Britaninë e Madhe.
Në Mbretërinë e Bashkuar, që prej vitit 2008, në paketa janë bashkangjitur imazhe të degjenerimeve të organeve që shkaktohen nga sëmundje të ndryshme të lidhura drejtpërsëdrejti me duhanin.
Megjithatë, një studim i Universiteti të Stirlingut, i cili përfshiu 2 800 adoleshentë, tregoi se imazhet nuk kanë asnjë efekt në ndalimin e duhanpirësve të moshës 11-16 vjeç.
Midis të anketuarve, një në dhjetë ishte një duhanpirës, ndërsa pjesa tjetër duhanpirës jo të zakonshëm ose jo duhanpirës.
Krahasuar me periudhën përpara futjes së këtyre imazheve, duhanpirësit e anketuar ishin në të njëjtën mesatare kombëtare për nivelin e lënies së cigares pas një periudhe të caktuar.
Efekti i vendosjes së këtyre imazheve, ndonëse tepër i kufizuar, shprehej vetëm tek dy kategoritë e tjera, përdoruesit jo të zakonshëm dhe jo duhanpirësit, që ndiheshin pjesërisht të frenuar prej këtyre imazheve.
Ndonëse një studim i përqendruar në Britaninë e Madhe, rezultatet e tij duken se përfaqësojnë një trend global, pasi edhe në shumë vende të tjera nuk është vënë re ndonjë efekt i dukshëm në rënien e konsumit.
Paradoksalisht, më shumë se sa ndërgjegjësimi i efekteve të dëmshme për shëndetin, më i efektshëm ka rezultuar pothuajse kudo shtrenjtimi i çmimeve për cigaret.
Top Channel