F1, Button-McLaren pranë rinovimit

05/09/2013 00:00

Është gjithmonë e më pranë rinovimi i kontratës mes pilotit Jenson Button dhe skuderisë McLaren. Sipas ‘Daily Telegraph’, firma do të vijë në fund të shtatorit.

Edhe pse ky ka qenë një sezon i vështirë për pilotin kampion bote të vitit 2009 për shkak të nivelit të ulët të makinës, Button ka vendosur të zgjasë kontratën dhe të përfundojë karrierën me McLaren.

“Dua të qëndroj tek McLaren pasi ndihem mirë dhe jam i lumtur. Nga jashtë mund të duket se kjo është një skuderi e ftohtë dhe e disiplinuar, por kur bëhesh pjesë e saj e kupton se është krejt ndryshe”, deklaroi Button.

Kalimi tek motorrët turbo në vitin 2014 duket se nuk e shqetëson britanikun: “Red Bull, Ferrari dhe Mercedes po punojnë shumë për pjesën e fundit të sezonit, ndërsa ne po punojmë për vitin tjetër. Kemi provuar pjesë të reja dhe po analizojmë çdo detaj.”

Jenson Button ka kaluar tek McLaren në vitin 2010 nga Brawn GP dhe në tre vitet me këtë makinë ka arritur 8 fitore, 17 podiume dhe 1 pole-position.

Top Channel