Ushtari ndërron gjini, konvertohet në islam

04/09/2013 16:10

Një ish-ushtar britanik vendosi të ndërronte gjininë e tij dhe të mbante perçe, duke u shndërruar në një grua muslimane.

I lindur nën emrin Laurens, tashmë 28-vjeçarja ka fituar një identitet të ri, atë të Lucy Vallender dhe e reja pretendon se ndërrimi i seksit, tre vjet më parë, e ka lejuar që të gjejë më në fund vetveten.

Tashmë, Lucy është e martuar me një mashkull musliman që njohu në një faqe njohjesh online, edhe pse ai nuk dinte ende asgjë për operacionin e ndryshimit të gjinisë, deri në publikimin e kësaj historie të pabesueshme në “Daily Mail”.

Në epokën në ushtri, përpara operacionit, Lucy pranoi se bënte një jetë tipike mashkullore, në të cilën kishte të dashura, dilte për të pirë e madje i kishte rastisur të përfundonte edhe në kacafytje me grushta, por në fjalët e saj, tentativat për t’u bërë një “mashkull i vërtetë” dështonin njëra pas tjetrës.


Lucy Vallender deshmon medaljen e fituar gjate sherbimit ushtarak. Djathtas, ajo kur ishte nje djale ne moshe te mitur

“Që në moshën 14-vjeçare kam dashur të jem femër. Gjithmonë më kanë tërhequr meshkujt, por kam ndrydhur ndienjat e mia vazhdimisht. Jam përpjekur që të jetoj si të gjithë bashkëmoshatarët, por erdhi një moment në të cilin nuk mundesha dot më”, pranoi Lucy.

“Ushtria ishte shansi i fundit që i dhashë vetes për të mbetur siç isha, por po jetoja një gënjeshtër”, shtoi 28-vjeçarja.


Lucy Vallender, nje muslimane e devotshme

Përsa i përket konvertimit në islam, e reja këmbëngul se kjo fe e ka lejuar që të gjejë paqe me veten, edhe pse rrëfeu që ka pasur vështirësi të gjejë një xhami për t’u falur, pasi kur mësonin identitetin e saj e përzinin ose e detyronin të falej me meshkujt.

Kërkimeve për një xhami u kurorëzuan me sukses, kur transeksuali i parë i konvertuar në islam në Britaninë e Madhe u mirëprit në qytetin e tij në lindjes, në Suindon, ku tashmë Lucy pretendon se po jeton jetën e saj perfekte, në paqe me Zotin, e lumtur me veten dhe e dashuruar pas bashkëshortit.

Top Channel