Në orët e para të mbrëmjes, nën ritmet e muzikës klasike, këta të rinj kanë vendosur të kyçin përgjithmonë dashurinë e tyre. Një dry i cili mbyllet dhe çelësi hidhet në lumë, ky është binomi që simbolizon premtimin për një dashuri që nuk ndahet kurrë.

E njohur si praktikë në të gjithë botën, “Ura e dashurisë” tashmë është edhe në Tiranë. Nismëtarë janë “Vullnetarët e Vegjël” që kanë menduar se si të sjellin pranë njerëzve aktivitete që promovojnë dashurinë. Por, si iu duket të rinjve ky organizim?

“Jam shumë e lumtur që edhe në Tiranë tashmë kemi urën e dashurisë, ashtu siç e kanë vende të ndryshme të botës”, shprehet një vajzë.

Por, kjo nuk është vetëm një ngjarje ku pjesëmarrës janë të rinjtë. Dashuria si ndjenja më sublime është përherë tek ata që dinë të dashurojnë. Të tillë janë edhe Engjëll dhe Engjëllushe Allajbej. Dashuria e tyre 30-vjeçare ndoshta sekretin e ka tek emri i të dyve. Por, si e kujtojnë ata kohën kur janë njohur?

“Jemi njohur në vit të dytë të shkollës së mesme, por bisedat e para i kemi pasur në vit të dytë të shkollë së lartë”, thotë çifti.

Cifti Allajbej, të cilët si fryt të dashurisë së tyre kanë dy fëmjë, tregojnë arsyet përse vendosën të marrin pjesë në këtë organizim dhe cili është mesazhi që ata duan të përcjellin: “Duke parë që ky ishte një projekt për lumturinë e njerëzve vendosëm të marrim pjesë. Duam të japim mesazhin që të gjithë të jenë të dashuruar.”

Mes Tepelenës, Beratit dhe Tiranës, Engjëlli dhe Engjëllushja festojnë 28 vite martesë, ndërkohë dashuria është edhe më e hershme. Por, cili ka qenë sekreti që i ka mbajtur bashkë “engjëjt”?

“Sekreti ka qenë respekti ndaj njëri-tjetrit gjatë gjithë jetës.”

Divorcet e VIP-ave

Një martesë e njerëzve të famshëm, edhe pse në dukje solide, papritur mund të kthehet në divorcin më të përfolur të vitit duke ngritur pyetje melankolike rreth vështirësive të personazhe VIP për të qëndruar sëbashku ndërkohë që fama i ndjek nga pas.

I tillë është rasti i Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones. Çifti është përballur me vështirësi të mëdha në vitin e fundit. Douglas vuante nga kanceri nw fyt, ndërsa Catherine po lufton një çrregullim bipolar. Për tu theksuar është fakti se diferenca 25-vjeçare mes të dyve dhe dënimi me burg për djalin e Douglas nga martesa e parë bëri që lidhja e aktorëve të njohur të shkonte drejt fundit. Megjithatë, ata kanë dy fëmijë së bashku dhe kanë qenë të martuar për 13 vjet, kohë që cilësohet shumë e mirë për një martesë të Hollivudit. Por, mediat amerikane ngrejnë pyetjen se pse ata nuk mund të qëndrojnë së bashku dhe nëse nuk munden këta të dy, kush mundet?

Sipas të dhënave, shkalla e divorcit në Hollivud arrin në një masë prej 50% dhe arsyet janë udhëtimet, angazhimet e shumta, tundimet etj. Ende është në mendjen e të gjithëve ceremonia dorëlëshuar e martesës së Douglas dhe Zeta-Jones në Plaza Hotel të Manhatanit. Ata u përshëndetën si dy të rinj dhe as që dukeshin të shqetësuar rreth diferencës së moshës. Douglas vinte pas një martese të dështuar dhe e shikonte mundësinë e tij të dytë si një shans të ri për të qenë një baba dhe burrë shembullor. Michael Douglas ishte ndër ata që quheshin princër sharmant dhe me një karrierë të jashtëzakonshme në Hollivood. Ai i solli një jetë të bekuar gruas së tij të re përmes famës dhe pasurisë që kishte fituar.

Por, diagnoza vitin e kaluar se ai vuante nga kanceri ishte një shok për të dy. Pastaj, Zeta-Jones ka konfirmuar se ajo është duke u kuruar me terapi dhe ilaçe për çrregullimin bipolar. Deklaratat e tyre se do të qëndrojnë larg njëri-tjetrit për një farë kohë për të rivlerësuar raportin e tyre me sa duket janë një paralajmërim drejt një divorci të afërt edhe pse Douglas para pak ditësh u shfaq i revoltuar para medias duke thënë se ata nuk kanë në plan të divorcohen dhe se gjithçka është një sajesë e medias.
Por, nuk është vetëm Douglas që mund t’i drejtohet gjykatës për t’i dhënë fund martesës së tij. Clint Eastwood do të duhet të harxhojë një dorë të mirë parash për të zgjidhur martesën e tij me Dina Eastwood Ruiz. 83-vjeçari i ka dhënë fund martesës 17-vjeçare me ish-folësen e lajmeve me të cilën ka edhe një vajzë. Clint dhe 48-vjeçarja thuhet se kanë më shumë se një vit që jetojnë të ndarë, ndërsa daljen e fundit publike e kanë edhe me të hershme.

Por, duket se dikush tjetër i ka rrëmbyer zemrën aktorit tw njohur. Bëhet fjalë për këngëtaren e muzikës jazz, Diana Krall, 48 vjeç. Kohët e fundit ata kanë kaluar shumë kohë me njëri-tjetrin dhe muzika e saj ka shoqëruar dy filma të Clint. Megjithatë, ata ende nuk e kanë pranuar se ka diçka përtej miqësisë. Clint Eastwood është baba i 7 fëmijëve me 5 gra të ndryshme. Ndërsa, i martuar ka qenë vetëm dy herë. Mesa duket, aktorët si Michael Douglas dhe Clint Eastwood po e humbasin shkëlqimin e ndoshta partneret e tyre shumw herw mw tw reja në moshë kërkojnë dashuri të reja.

Duket se kjo ka qenë vera e ndarjeve të mëdha. Pasi në fund të muajit gusht Monica Bellucci dhe Vincent Casell i dhanë fund historisë së tyre 17-vjeçare të dashurisë. Prej kohësh flitej për marrëdhënie të stuhishme mes çiftit, por askush nuk e mendonte se bukuroshja italiane do t’i jepte fund martesës me aktorin francez. Shkëndijat e para 48-vjeçarja i kishte dhënë në prill, kur deklaronte se asnjëherë nuk e dinte sa do të zgjaste martesa sepse sot funksionon, por pas një viti nuk i dihet. Megjithatë, nuk u desh një vit, por vetëm 5 muaj. Pushime të bukura me familjen në Greqi dhe në fund të verës ish-modelja është single. Gjithçka në mirëkuptim të plotë me ish-bashkëshortin e saj dy vite më të vogël. Bellucci dhe Casell janë njohur në vitin 1996 gjatë xhirimeve të filmit “Apartamenti”. Dashuria me shikim të parë u konkretizua në martesë më 1 gusht 1999 në një ceremoni të qetë në Monaco. Nga martesa, çifti franko-italian ka dy vajza, shtatë dhe tre vjeç. Prej kohësh Casell dhe Bellucci jetonin të pavaruar nga njëri-tjetri për shkak të punë së tyre duke mbajtuar apartamente respektive në Paris dhe Romë. Ndarja shënon dështimin e dytë të martesës për Belluccin, e cila ishte e martuar për katër vjet me fotografin italian Claudio Basso përpara se të divorcohej në vitin 1994.

Monica Bellucci aktualisht është duke punuar në Serbi me regjizorin e njohur Emir Kusturica. Por me sa duket dicka tjetër po e tërheq më shumë drejt lindjes 48-vjeçaren. Bëhet fjalë për Azerbajxhanin dhe biznesmenin Telman Ismailov. Zërat për një lidhje mes aktores bukuroshe italiane dhe miliarderit Ismailov kanë nisur që në vitin 2009, kur Bellucci mori pjesë në inaugurimin në Antalia të Turqisë të një hoteli luksoz të ndërtuar pikërisht nga Ismailov. 57-vjeçari, pronar i grupit imobiliar rus Ast, ka famë si Don Zhuan dhe ka bërë bujë me shpërblimet e majme që i ka dhënë këngëtareve si Mariah Carey dhe Jennifer Lopez për të kënduar në festat e tij të ditëlindjes. Gjithashtu, në mbrëmjet e organizuara prej tij kanë qenë të pranishëm edhe personazhe si Sharon Stone, Richard Gere, Paris Hilton dhe sigurisht Monica Bellucci.

Rimartesë pas 20 vitesh

Ata u martuan në gusht të vitit 1993. Erida ishte 23 vjeç, ndërsa Alfredi 29. Edhe pse vendi sapo kishte hyrë në një tjetër epokë duke lënë pas izolimin, në ceremonitë martesore të secilit prej tyre, u kërcye “rock & roll” dhe veshjet ishin shumë moderne për kohën.

Vetëm pak ditë pas dasmës, Erida Cela dhe Alfred Përlala udhëtuan drejt Italisë për një jetë më të mirë. Nga martesa erdhën në jetë vajza Jona dhe djali Erik. Pas plot 20 vitesh së bashku, të mbushura me momente të vështira dhe të bukura, ata vendosën të rimartohen.

Familjarët dhe rrethi i ngushtë i miqve janë pjesë e ceremonisë intime të rimartesës së Eridës dhe Alfredit.

“Jeta është e gjatë dhe kemi parë vështirësi. Tani që kemi profesionet tona, shtëpinë tonë dhe po rrisim fëmijët, menduam që për të përforcuar më tej besimin të martohemi sërish”, thotë Erida.

Edhe pse asnjëri nuk di të thotë me siguri recetën për një martesë sa më jetëgjatë, Erida rrëfen ato gjëra që i kanë mbajtur kaq pranë njëri-tjetrit: “Respekti dhe të pranosh defektin e partnerit. Më parë ishim të rinj dhe mendonim se jeta do të ishte e bukur. Tani e dimë si është jeta dhe jemi më të pjekur.”

Erida ka një mesazh edhe për çiftet e ditëve të sotme: “Tani zgjedhin bashkëjetesën për të thjeshtuar ndarjet, por do të thoja që është lehtë të lësh burrin ose gruan pas një problemi. Edhe partneri është qenie njerëzore dhe duhet të mësosh të kalosh vështirësitë pasi nuk është se ndahesh dhe do të gjesh një person më të mirë. Më mirë të mbajmë ata që kemi dhe të mundohemi të falim dhe përmirësojmë njëri-tjetrin.”

Top Channel