Kryeministri i zgjedhur Edi Rama çeli paraditen e së mërkurës zyrën e tij në Vlorë, që e konsideron si një model të bashkëjetesës mes deputetëve dhe zgjedhësve të tyre.

Rama u takua me tre të rinj që  u përzgjodhën për të punuar në këtë zyrë, ndërmjet 252 aplikantëve. Kjo zyrë, tha Rama, nuk është një zyrë punësimi, por zyra ku çdo qytetar të shprehë shqetësimet.

“Është zyra e një deputeti, pavarësisht se unë jam kryeministri. Kjo zyrë nuk është një zyrë punësimi, në kuptimin që njerëzit të vijnë këtu dhe të marrin punë. Kjo zyrë nuk i mbivendoset as institucioneve të shtetit dhe as funksioneve që kanë drejtuesit apo strukturat e institucioneve të shtetit. Është zyra ku çdo qytetar i Vlorës, i qytetit dhe i rrethit mund të vijë dhe të ndajë me në shqetësime, të bëjë sugjerime, të sjellë ide, etj”, deklaroi Rama.

Rama i takoi tre fituesit që do të jenë pjesë e kësaj zyre në qytetin bregdetar.

“Fushat që unë kam zgjedhur për të studiuar, drejtësia dhe ekonomia, janë dy sektorë kryesorë në të cilët mendoj se Shqipëria ka nevojë më shumë për t’u zhvilluar. Formimi profesional që ky vend pune kërkon dhe ajo eksperiencë pune që unë kam pasur deri më sot më jep mundësinë për të bërë një punë me profesionalizëm, por njëkohësisht edhe me përkushtim të madh”, deklaroi Alma Binaj.

“Për mua është një eksperiencë e re pune. Jam e kënaqur për procesin e seleksionimit, sepse u zhvillua në mënyrë shumë të ndershme dhe shumë të rregullt mes shumë aplikantëve. Kam mbaruar në Universitetin e Bolonjës dhe jam këtu për të dhënë kontributin tim”, thotë më pas Arjola Sulaj, një tjetër fituese.

“U ktheva para dy vitesh në Shqipëri dhe konkurrova këtu. Ishte me të vërtetë një proces serioz konkurrimi, jam i kënaqur”, shton fituesi tjetër, Bevis Shehaj.

Top Channel