Andrea Stefani – Nuk janë aspak të rralla rastet në histori, kur mendjet
më të ndritura dhe më liberale të kohës, kanë qenë të detyruara të
pranojnë forma të ndryshme të despotizmit dhe autokratizmit si të keqen
më të vogël.
Por duket se një synim të tillë ruan edhe Sali Berisha, një mendje jo aq e ndritur, ndërsa etiketon Edi Ramën dhe ministrat e tij si “bllokmenë” apo si bijtë e baballarëve të kuq që do të rikthejnë komunizmin. Dihet nga të gjithë, se vetë ish-sekretari i PPSH dhe sot Kryeministri në largim, ka qenë shumë më afër dhe në shërbim të udhëheqjes komuniste (ky idil është provuar tashmë edhe me foto) sesa, të themi, në atë kohë piktori ekstravagant dhe rebel, Edi Rama. Kjo e bën të duket edhe më idioteske këmbënguljen mbi 23-vjeçare të Berishës, për t’i rënë pa u lodhur gozhdës së vjetër të “rrezikut komunist”. Në fakt, kemi të bëjmë me një dinakëri të kalkuluar jo aq trashë. Berisha ka mësuar në këto dy dekada të fundit, se në politikë e diplomaci, më shumë vlerë se fakti, ka interpretimi i tij pra, demagogjia. Aq më tepër kur bëhet fjalë për të ndikuar ca ndërkombëtarë që, kur është fjala për vende me koeficient të ulët si Shqipëria, veprojnë më shumë nën nxitjen e përshtypjeve të dala nga thashethemet sesa nga njohja e plotë e problemit. Vërtet mund të kem ca vese autokratike, duket sikur thotë Berisha, por a nuk është kjo një e keqe shumë më e vogël se rikthimi i “bllokmenëve”, pra i diktaturës së kuqe?
***
Pranimi i së keqes më të vogël është elasticiteti më i rëndomtë në politikën kombëtare dhe ndërkombëtare. E majta në Shqipëri pranon aleancën me LSI-në si të keqen më të vogël krahasuar me një sundim pafund të Berishës në aleancë me LSI-në. Çërçilli dhe Rusvelti pranuan aleancën me Stalinin përballë rrezikut të një sundimi të përbotshëm të boshtit nazifashist. Veç jo vetëm politikanët, që nuk shquhen shumë për qëndresë në mbrojtjen e parimeve, por edhe filozofë të shquar si Georg Fridrih Hegel ka pasur momente kur kanë lënë mënjanë parimet dhe i janë dorëzuar diktaturës së “të keqes më të vogël”. Konkretisht, çlirimi i shteteve gjermane nga sundimi francez i Bonapartit më 1814-n, u pasua nga një regjim absolutist. Premtimet për të drejta politike dhe një kushtetutë të përshtatshme, mbetën të papërmbushura. Kjo i dha shkas një lëvizjeje studentore (burschenschaften) që, ndërsa aspironte bashkimin e Gjermanisë, shfaqte edhe armiqësi kundrejt despotizmit postbonapartist. Por për këtë lëvizje, që fliste shumë për lirinë dhe barazinë – shpjegon Herbert Markuze në një studim të tijin mbi filozofinë e Hegelit, liria do të ishte një privilegj i racës teutonike. Ajo e perceptonte kulturën si një aset të të pasurve dhe të huajve që e përdornin për të korruptuar dhe squllur popullin. Urrejtja për francezët shkonte paralel me atë për çifutët, katolikët dhe fisnikët. Lëvizja aspironte për një “luftë të vërtetë gjermane” që do të shpaloste vlerat e kombit, si dhe kërkonte “shpëtimtarin” për të arritur bashkimin gjerman. Lëvizja besonte se qëndronte mbi ligjin, sepse “një kauzë të drejtë nuk përfill ligjin”, ndërkohë që shteti, duhej të ndërtohej nga poshtë me anë të entuziazmit të gjerë të masave dhe unitetit të popullit (Volk), duke tejkaluar rendin shtresor të shoqërisë. Nuk është e vështirë të dallosh në këto slogane “demokratike” embrionet e ideologjisë fashiste të “komunitetit të popullit” (Volksgemeinschaft), racizmin dhe antiracionalizmin – shkruan Markuze. Tashmë është e qartë se Hegel e dalloi që në shpërgaj të keqen dhe prandaj reagoi duke shkruar një libër si “Filozofia e së drejtës”, duke dalë në mbrojtje të shtetit, kundër kësaj ideologjie dhe lëvizjeje. Sepse ai pa në këtë lëvizje “demokratike” një rrezik shumë më serioz për lirinë sesa nga vazhdimi i sundimit të autoriteteve despotike të kohës. Prandaj edhe Hegel zgjodhi të keqen më të vogël, akt që është komentuar si një tradhtim praktik nga ai i parimeve të arsyes, lirisë dhe drejtësisë që pat vendosur në qendër të doktrinës së vet. Ndoshta për këtë shkak edhe filozofë si Karl Poper e rendisin teorinë hegeliane si një ndër burimet ideologjike të totalitarizmit.
***
Ashtu si Hegel zgjodhi thuajse dy shekuj më parë një despotizëm alla Meternik si të keqen më të vogël për hapësirën gjermane, ashtu edhe Berisha aspiron që ndërkombëtarët dhe shqiptarët, të zgjedhin autokratizmin e tij si të keqen më të vogël për Shqipërinë. Por për këtë duhet që përballë alternativës së tij despotike, të qëndrojë një tjetër alternativë më e zezë. Dhe meqenëse një “burschenschaften” shqiptar nuk ekziston, Berisha e shpik atë me besimin e patundur te forca e gënjeshtrës dhe e shpifjes. Prandaj ka zënë të flasë për rikthimin e “bllokmenëve” për etër e bij. Një rrenë që e përhap sa të mundë nëpër botë me anë të altoparlantëve të llojit Grosruk, Dol, Pak apo Martens. Nuk e kupton se është tepër vonë, se jo vetëm shqiptarët që sapo e kundërvotuan pasivisht, por edhe ndërkombëtarët e kuptuan më në fund se pas sloganeve dhe apelacioneve “demokratike” të Berishës, fshihej një ideologji dhe gjakim për pushtet të përjetshëm aq tipike për fashizmin, komunizmin dhe bllokmenët e të gjitha kohërave. Tashmë ata që e dinë se Berisha dhe berishizmi përfaqësojnë të keqen më të madhe janë në shumicë. U deshën mbi dy dekada që më në fund kulti i “sjellësit të demokracisë” të demaskohej si sjellësi i fatkeqësisë për Shqipërinë.
Top Channel