
Gara e Monzës ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një garë e veçantë për Ferrarin.
Këtë mendim ka presidenti i skuderisë legjendare të Formulës 1, Luca Cordero Di Montezemolo, i cili thekson se pista italiane do i japë krahë makinave të kuqe.
“Thuhet se nuk përbën ndryshim të garuarit para publikut tënd, por unë nuk jam dakord me këtë. Gara e Monzës ka një kuptim të veçantë për skuadrën dhe pilotët, qofshin këta jo italianë. Gjithashtu mendoj se ka një kuptim të veçantë edhe për makinat. Duket e palogjikshme, por jam i bindur se amortizatorët, krahët dhe motorri i Ferrarit japin diçka më shumë në Monza, diçka që bën diferencën”, theksoi Montezemolo për ferrari.com.
Më tej, Montezemolo foli për karakteristikat e pistës italiane: “Monza është nga ato pista që nuk mund ta heqësh nga kalendari. Dikujt mund t’i duket absurde një pistë me vetëm 4 kthesa dhe 3 shikane, por në këtë rast vlen i njëjti argument si për Montekarlon. Të dyja këto pista janë të domosdoshme për Formulën 1: njëra për hijeshinë që rrethon garën dhe tjetra për emocionet që vetëm shpejtësia mund t’i dhurojë.”
Top Channel