
Karriera e tij nisi si kloun dhe animator në festa fëmijësh, ndërsa së fundmi ai ka krijuar “Lucky”-n, statujën e parë njerëzore në Shqipëri.
Kristi Karkanaqe është vetëm 21 vjeë, por kur vjen puna tek argëtimi i të tjerëve di ta bëjë mjaft mirë. Prej dy vitesh ai është një statujë njerëzore në rrugët e Tiranës, ku veshja prej varaku ngjyrë floriri e shndërron në një tjetër imazh.
Nga një djalë trupvogël, ai merr magjinë e artistit brenda pak çastesh.
Këtë radhë ai ka zgjedhur një nga rrugët e Liqenit Artificial për të performuar. Mjaftojnë vetëm pak minuta dhe dhjetëra njerëz dhe fëmijë e rrethojnë “Lucky”-n duke e fotografuar dhe duke i dhënë para’.
Për nder të njerëzve që po e ndjekin dhe kërshërisë së tyre, Lucky nuk heq dorë nga zanati i vjetër. Ai bën edhe animatorin apo këngëtarin.
Kjo është vetëm njëra nga shfaqjet e “Lucky”-t. Daljet e tij publike sa vijnë e shtohen.
Statujat njerëzore, si lindën artistët e rrugës nëpër Botë
Ata tërheqin vëmendjen e gjithkujt. I ndesh në rrugët më të populluara të kryeqyteteve më të mëdha të Evropës dhe të mbarë botës.
Janë të veçantë, shumicën e kohës shndërrisin nga varaku dhe nga rrobat me shkëlqim që mbajnë dhe gjatë performancës nuk u lëviz as qerpiku.
Ata janë statujat njerëzore ose thënë ndryshe: “statujat që jetojnë”. Artistë të tillë i gjen në rrugët e Barcelonës, Gjermanisë, Vjenës, Amerikës e kudo tjetër ku ka kryesisht turistë.
Statujat njerëzore ishin shumë të përhapura gjatë ceremonive festive mbretërore në Mesjetë si dhe në periudhën e Rilindjes, duke shoqëruar mbretërit në kohën kur këta të fundit hynin si triumfatorë në qytet.
Zakonisht ata qëndronin të palëvizshëm në një skenë të krijuar enkas në qendër të vendit dhe në pamje të parë ngjasonin me një monument.
Për herë të parë, statujat njerëzore u shfaqën në filmin e famshëm francez të vitit 1945 “Fëmijët e Parajsës”, ndërsa pionerët e parë të këtij arti janë artistët londinezë Gilbert dhe Xhorxh, të cilët u bënë të famshëm në vitet ’60.
Njeriu i parë statik që hyri në librin e rekordeve Gines ishte Antonio Santos, i cili nisi në periudhën 1988-1997 mbajti rekordin e qëndrimit palëvizur me kohën prej 15 orësh, 5 minutash dhe 55 sekondash.
Në rrugët më të famshme të botës ata janë elementi më popullor i artit të rrugës, shpeshhere duke lënë pas artistët graffiti dhe piktorët. Më shumë se një punë fitimprurëse, artistë të tillë ndjekin gjithmonë pasionin duke bërë njerëzit të qeshin dhe duke bërë të lumtur edhe veten.
Top Channel