“Microsoft” blen “Nokia-n”

03/09/2013 00:00

“Microsoft” ka pranuar një marrëveshje për të blerë operacionet e
kompanisë telefonike “Nokia” për 5.4 miliardë euro. Nga ana e saj,
“Nokia” do të liçensojë patentat e saj dhe shërbimet hartuese për
“Microsoft”.

Dy kompanitë deklaruan se marrëveshja do të finalizohet në fillim të vitit 2014, kur rreth 32 mijë punonjës të “Nokia” do të transferohen tek “Microsoft”.

Por ndërkohë që “Nokia” ka luftuar konkurrencën me “Samsung” dhe “Apple”, “Microsoft” është kritikuar se është treguar shumë i ngadaltë në tregun e telefonisë së lëvizshme.

“Është një hap i rëndësishëm drejt së ardhmes, fitimprurës për punonjësit, aksionerët dhe konsumatorët e të dy kompanive”, deklaroi Steve Ballmer, shef ekzekutiv i “Microsoft”.

Transaksioni është diçka që do të aprovohet nga aksionerët e “Nokias” dhe entet rregullatore, raportojnë mediat ndërkombëtare në edicionet online.

“Microsoft”, një nga emrat më të mëdhenj në fushën e teknologjisë, ka luftuar për të frenuar kalimin e konsumatorëve nga kompjuteri tradicional dhe ai laptop në favor të smartfonëve dhe tabletave.

Kritikët deklarojnë se kompania ka qenë shumë e ngadaltë në përgjigjen ndaj bumit të verifikuar në tregje për objektet teknologjike të lëvizshme.

Ajo lançoi tabletën e saj “Surface” vitin e kaluar, por shitjet e objektit kanë qenë relativisht të ulëta. Analistët deklarojnë se kompania donte të sigurohej që kishte ndërmarrë strategjinë e duhur për të hyrë në tregun e telefonisë.

Top Channel