30 ish-gardianë të Aushvicit mund të përballen me drejtësinë, paralajmëruan të martën autoritetet gjermane.
Në kampin famëkeq të vdekjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore u vranë mbi 1,1 milionë persona, shumica e të cilëve hebrenj.
Ndonëse që prej atëherë kanë kaluar shtatë dekada, prokuroria e shtetit të Baden-Ëuerttenmergut ka nisur një hetim ndaj 49 ish-gardianëve, 30 prej të cilëve pritet të përballen me drejtësinë.
Të pandehurit jetojnë në qytete të ndryshme gjermane dhe shtatë prej tyre jashtë vendit.
Ish-gardiani më i vjetër në moshë që po ndiqet është 97 vjeç.
Këto padi ngrihen pas rastit të John Demjanjukut, i cili dy vite më parë u dënua me pesë vjet heqje lirie, pasi ishte i përfshirë në vrasjen e hebrenjve në kampin e vdekjes së Sobiborit, në Poloninë e pushtuar.
Ai apeloi ndaj vendimit dhe ndonëse ndërroi jetë pa pritur apelin, Demjanjuk u shndërrua në një precedent, pasi drejtësia gjermane gjykonte më parë vetëm ata ish-nazistë që vërtetohej se ishin të përfshirë drejtëpërsëdrejti në vrasjet në masë.
Çështjet, ndonëse gjerësisht simbolike për shkak të moshës së të pandehurve, tregojnë një vendosmëri të qartë të Berlinit zyrtar për t’u ndarë përgjithmonë nga krimet e të shkuarës dhe për të pastruar emrin e keq që la për Gjermaninë nazismi e Lufta e Dytë Botërore.
Top Channel