Gëzimi i tifozëve të Kukësit

03/09/2013 00:00

Tifozët kanë qenë motori i skuadrës së Kukësit në stadium. Kanë festuar çdo arritje, çdo gol, por edhe i kanë mbështetur lojtarët në betejat e humbura me besimin se zëri i kuksianëve do të dëgjohej së shpejti në futbollin europian.

“Kur isha në 8-vjeçare lija mësimet për të parë Kukësin në stadium. Kisha ëndërr ta shikoja Kukësin në kategorinë e parë dhe jo vetëm që e pashë mes më të mirëve të Shqipërisë, por e pashë në Europë duke kaluar 3 ture”, thotë një tifoz i Kukësit.

Ishte hera e parë që një skuadër shqiptare me shumë këmbëngulje arriti të kalojë 3 ture të Europa League. Goli i kalimit të fazës së parë ka qenë edhe nga më emocionuesit, jo vetëm për Prognin, skuadrën, trajnerin, presidencën dhe kuksianët, por për të gjithë shqiptarët.

“Ekipi i Kukësit na ka nderuar me këtë arritje. Na ka dhënë një gëzim të jashtëzakonshëm. Atë ditë të gjithë grupmoshat u lumturuan”, shprehet një tjetër tifoz.

Kalimi nga njëra fazë në tjetrën i bëri tifozët të ëndërrojnë. Ata nuk kanë udhëtuar drejt Tiranës vetëm për të ndjekur ndeshjet, përkundrazi ata pritën për disa orë charter-in që kthehej nga Talini vetëm e vetëm t’i tregonin mirënjohjen për krenarinë që iu kishte dhuruar fitorja.

Ndjekin me fanatizëm çdo ndeshje të skuadrës. Madje edhe angazhimet e tjera në ditën e sfidave janë në varësi të qytetit dhe orës ku luhet ndeshja.  

Tifozët kuksianë këtë vit shpresojnë edhe më shumë: “Jemi krenaria e Shqipërisë dhe sivjet do të shpallemi kampionë!“

Allmuça: Golat ia dedikoj dy djemve të mi

Igli Allmuca është një nga djemtë e skuadrës së Kukësit që këtë vit e përfaqësuan denjësisht futbollin shqiptar. Megjithatë, shpesh në fushë shohim shpirtin luftarak të lojtarëve që tifozë më të zjarrtë kanë familjarët e tyre.

“Për një futbollist, familja luan rolin kryesor në karrierë. Pa ndihmën e familjes nuk ecën dot përpara”, thotë Allmuça.

Janë mbështetja kryesore si në humbje ashtu edhe në fitore: “Kur humbas ndeshjen vij i mërzitur në shtëpi, por aty gjej ngrohtësi dhe e kaloj hidhërimin.”

E ka nisur shumë herët futbollin. Ka qenë sporti i tij i preferuar e me shumë stërvitje u bë lojtar profesionist. Kështu tregon Besniku, babai Iglit: “Fillimisht, kur ishte në shkollë sportive nuk e kam mbështetur shumë, por e kam lënë të lirë të zgjidhte vetë.“

Suada është bashkëshortja e Iglit. Në shumicën e rasteve ajo e ndjek ndeshjen nga ekrani, por kur sheh ndonjë padrejtësi nuk ndjehet mirë: “Jemi në ankth kur Igli luan. Në ndeshjet europiane kam pasur emocione të mëdha.“

Përveç dashurisë dhe përkushtimit ajo i ka dhuruar atij 2 djem. Megjithatë nëna dhe babai kanë plane të ndryshme për të ardhmen e tyre.

“Do kisha shumë dëshirë të bëheshin futbollistë, por do të jetë zgjedhja e tyre“, thotë Igli, ndërsa Suada nuk e ndan këtë dëshirë pasi sipas saj është një profesion shumë i lodhshëm.

Zana është nëna e djalit nga Tirana që më shumë se çdokush tjetër përjeton çdo moment të lojës: “E përjetoj shumë, sidomos kur vritet. Është e tmerrshme.“
Babai ka ndjekur ndër vite Tiranën, por kohët e fundit është luhatur nga bindja e tij vjetër: “Unë jam nga Tirana dhe gjithmonë kam qenë tifoz i Tiranës, por kur u bë djali futbollist, nisa të bëjë tifo për skuadrat ku luan ai.“

Arritja në Europa League i ka lumturuar të gjithë. Allmuça thekson: “Kur janë gëzuar të gjithë shqiptarët, imagjino familjarët e futbollistëve.“

Cdo gol që ka shënuar babi Igli ia ka kushtuar 2 personave: “2 djemve të mi!“

Progni: Babai, njeriu i jetës sime

Gerhard Progni edhe mund të mos jetë i pranishëm në një ndeshje futbolli, por babai i tij nuk mungon kurrë. Janë mbushur plot 16 vjet që Nik Progni e shoqëron të birin në çdo hap të karrierës së tij.

“Kam qenë 6 vjeç kur kam nisur futbollin dhe babai vjen e më ndjek edhe në stërvitje, jo vetëm në ndeshje. Vetëm duke e parë në fytyrë e kuptoj nëse kam luajtur mirë apo keq“, tregon Progni.

Lidhja e këtij djaloshi me futbollin fillon që në vitin e parë që erdhi në jetë.

“Daja i tij ishte tifoz me Gjermaninë dhe i vuri menjëherë emrin e Muller-it. Ia ndolli që do të bëhej futbollist“, tregon babai.

Gjatë këtyre viteve janë përballur me shumë sfida. I është dashur të lënë pas shumë e shumë gjëra të tjera vetëm që djalit të tyre të mos i mungonte gjë: “Gerhardi kishte prirje dhe vendosa që të largohesha nga Bajram Curri për të ardhur në Tiranë në mënyrë që ta kishte më të lehtë. I vura kusht që nëse binte nga mësimet, do e linte futbollin.“

Që ditën e parë, Niku ka mbajtur një ditar ku ka shënuar arritjet, shpenzimet dhe padrejtësitë, por thotë që nuk do ta bëjë publik këtë ditar derisa djali i tij do të tërhiqet nga futbolli.

Një tjetër person që e ndjek çdo sekondë në fushën e lojës Gerhardin është nëna e tij.

“Kur ka një përplasje në fushën e lojës, e ëma ngrihet duke bërtitur “mu vra djali!“, thotë babai.

“Nëna është bërë specialiste futbolli. Kur shkoj në shtëpi më thotë çfarë bëra mirë e çfarë bëra keq në fushë“, tregon Gerhardi.

Për herë të parë në historinë e futbollit një skuadër shqiptare arrin të kalojë tre ture në UEFA Europa League. Golin e kalimit të turit të parë e shënoi 26-vjeçari nga Tropoja: “Nuk më ka zënë gjumi natën pasi ishte goli im i parë në Europë dhe goli i parë për Kukësin.“

Një pjesë të arritjeve të tij, Progni ia dedikon edhe trajnerit të tij të parë, Gazmend Krajës.

Top Channel