Zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajten të djelën në dy komuna në Korçë dhe në Shkodër rikonfirmuan rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ku kandidatët e së majtës, respektivisht ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim në komunën Dardhas dhe ai socialist në komunën Rrethinat fituan me një diferencë të theksuar votash ndaj dy kandidatëve demokratë.

Sipas KQZ-së, në të dyja komunat procesi i numërimit të votave ka qenë i pandërprerë, çka solli shpalljen e rezultateve brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë korrekte dhe në përputhje me proçedurat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Në komunën Dardhas, sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i Partisë Demokratike Gentian Pere ka marrë 412 vota, ndërsa kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i mbështetur edhe nga koalicioni i majtë, Genci Hamollari ka marrë 1.138 vota.

Në komunën Rrethina, në qarkun Shkodër, kandidati socialist Luan Harusha ka marrë 4.411 vota ndërsa kandidati demokrat Ridvan Guri ka marrë 1.402 vota.

KQZ e ka shpallur tashmë vendimin për fituesit dhe është në pritje të kutive me fletët e votimit. Në komunën Dardhas, në Korçë, zgjedhjet u mbajtën sepse Këshilli i Ministrave shkarkoi ish-kryetarin e komunës për çështjen e deklarimit të pasurisë. Ish-kryetari i përkiste Partisë Socialiste.

Në komunën Rrethina, ish-kryetari është në burg me disa akuza dhe për këtë arsye ai u shkarkua nga detyra. Rezultati i dy komunave këtë të djelë konfirmon votën e 23 qershorit, që i dha të majtës 83 mandate për të qeverisur në 4 vitet e ardhshme, por është edhe tregues i pritshmërisë së lartë për qeverinë e re.

Top Channel