Prej pasdites së të hënës, është publikuar në faqen zyrtare të partisë neonaziste “Agimi i Artë”, një video që tregon bllokimin e pikës doganore të Kakavijës, në mesditën e së dielës, nga dhjetra anëtarë të saj, pas një mitingu përkujtimor në Gramo, në përvjetorin e shkatërrimit të grupeve komuniste në këtë zonë, në Greqinë e pasluftës.
Të udhëhequr nga deputetët e kësaj partie, Hristos Papas dhe Konstandinos Barbarusis, ata kanë protestuar, duke marrë shkas – sipas tyre – nga ngjarjet me kishën në qytetin e Përmetit, si dhe ato në zonën e Himarës, në përvjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës, dhe duke treguar se nuk harrojnë çështjen e Epirit të Veriut.
Duke mbajtur në duar flamujt e Greqisë dhe të partisë së tyre, ata kanë hedhur parrulla si “Atje lart në Përmet do të ngrejmë përsëri flamurin grek”, “Vorio Epiri është Greqi, do të kthehemi sërish për këtë tokë”.
“Shqipëria e ka frikë “Agimin e Artë”, pasi është e vetmja parti, që ka në programin e saj betejën për helenizmin e Vorioepirit”, ka deklaruar deputeti Papas.
Të këndojmë të gjithë tani, sa më fort që të jetë e mundur, me vështrimin drejt Vorioepirit, me zërin tonë dhe shpirtin tonë, himnin kombëtar, që ta dëgjojnë vëllezërit tanë në Sarandë, Himarë dhe Përmet”, është shprehur Hristos Papas, deputet i “Agimit të Artë”.
Mitingu i protestës, që ka zgjatur më shumë se një orë, ka përfunduar me himnin kombëtar dhe parrulla nacionaliste. Mitingje të ngjashme janë zhvilluar nga dhjetra anëtarë të “Agimit të Artë” ditën e diel, që kanë bllokuar edhe Urën e Kosturit, disa km larg doganës së Kapshticës, si dhe rrugën e pikës kufitare të “Tre Urave” në tokën greke.
Top Channel