Mandela, ende në spital

31/08/2013 00:00

Lajmi se ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela kishte lënë
spitalin dhe ishte drejtuar për në shtëpinë e tij ka qenë i pasaktë.

Kështu ka deklaruar presidenca afrikano-jugore në një komunikatë për shtyp, duke përgënjeshtruar mediat ndërkombëtare që dhanë informacionin në orët e mëngjesit.

Në komunikatën e saj, presidenca njofton se zoti Mandela ishte në gjendje kritike por të qëndrueshme, por në disa raste kushtet e tij përkeqësoheshin duke bërë të nevojshme ndërhyrjen mjekësore.

95-vjeçari u shtrua për shkak të një infeksioni në mushkëri më 8 qershor. Javën e kaluar mjekët thanë se ai ishte në gjendje kritike, por tregoi aftësi rekuperimi dhe që atëherë nuk kishte pasur të dhëna të reja mbi të.

Presidenti i parë me ngjyrë, zoti Mandela konsiderohet si babai i kombit. Qëndrimi i tij i gjatë në spital ka shkaktuar shqetësim si në Afrikën e Jugut ashtu edhe jashtë saj.

Pas publikimit të lajmit të pasaktë, banorë të Afrikës së Jugut dhe nga e gjithë bota i dërguan Madibës urimet më të mira, ndërkohë që lule dhe pankarta u vendosën jashtë klinikës ku ai ishte shtruar.

Por tani, pas përgënjeshtrimit, simpatizantët e tij kanë mbetur të zhgënjyer. Infeksioni i tij thuhet se e ka zanafillën tek periudha prej tre dekadash që ai kaloi në burg për aktivitetin anti-aparteid.

Për aq kohë sa do të qëndrojë në spital zoti Mandela, presidenti Jacob Zuma u ka bërë thirrje banorëve që të luten për të dhe ta mbajnë gjithmonë në mendimet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB