
Një rrjedhje amoniaku të lëngshëm nga një impiant ftohejeje në Shangai të Kinës ka shkaktuar vdekjen e të paktën 15 personave.
Lajmin e bën të ditur agjencia e shtypit “Xinhua”, sipas të cilës nga rrjedhja 26 persona të tjerë kanë mbetur të intoksikuar. Mediat lokale kanë transmetuar gjithashtu pamje të zjarrfikësve të mbledhur në vendin e ngjarjes.
Rregullat për sigurinë në impiantet industriale të Kinës injorohen shpesh nga autoritetet, të cilat janë të fokusuara tek nxitja e zhvillimit ekonomik.
Mediat kineze shtojnë më tej se incidenti ka ndodhur në rajonin e Baoshanit, në veri të Shangait, në impiantin e zotëruar nga kompania “Shangai Ueng Pai”, që merret me import-eksportin dhe magazinimin e produkteve të detit.
Autoritetet shtetërore nuk kanë deklaruar nëse personat që jetojnë në zonat përreth janë intoksikuar nga rrjedhja. Amoniaku i lëngshëm, i përdorur për ftohje, mund të shkaktojë shkatërrimin e indeve të mushkërisë, duke çuar në vdekje, si dhe djegie kimike në lëkurë.
Shangai konsiderohet si qyteti me masat më të forta krahasuar me qytetet e tjera të Kinës, por ky është incidenti i dytë që ndodh në një kompani ushqimesh në më pak se një muaj.
Më 20 gusht, pesë punëtorë në një kompani analoge humbën jetën pasi gëlltitën tym të helmatisur teksa punonin në një vaskë për fermentimin e perimeve.
Indi, jepet dënimi për dhunimin në grup
Adoleshenti pjesëmarrës në përdhunimin në grup të një studenteje 23-vjeçare vitin e kaluar në Delhi të Indise, u shpall fajtor nga një gjykatë për të mitur dhe u dënua me tre vjet qëndrim në një shkollë riedukimi, ndëshkimi maksimal i parashikuar për një minoren në këtë vend.
Në kohën e krimit ai ishte 17 vjeç. I riu i mohon akuzat për përdhunim dhe vrasje, ashtu siç kanë bërë edhe katër të rriturit në gjykim për të njëjtin episod. E ëma e viktimës, që vdiq në spital pas ngjarjes së rëndë, u largua nga salla e gjyqit me lot në sy, tepër e zemëruar nga vendimi.
Ndërkohë, një turmë njerëzish u mblodh për të protestuar përpara gjykatës ndaj dënimit tepër të lehtë të dhënë adoleshentit, që në fakt, sipas tyre, duhet të varej për krimin e bërë.
Kandahar, kamikazi vret 5 persona
Një sulm kamikaz ka vrarë 5 persona në Kandahar të Afganistanit. Agresori shpërtheu eksplozivin që kishte në trup pikërisht në kohën kur njerëzit po kalonin radhët e sigurisë për të hyrë në degën lokale të “Kabul Bank” e për të marrë rrogat e tyre. Mes viktimave ka policë e civilë. Rreth 20 vetë mbetën të plagosur.
Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë për sulmin, por kohët e fundit aktiviteti i talebanëve në vend është shtuar, e kjo shihet si përpjekje e kryengritësve për të gërryer besimin e njerëzve tek ushtria dhe policia afgane përpara tërheqjes së forcave amerikane vitin që vjen.
Top Channel