Itali, vijon vala e klandestinëve në jug

31/08/2013 00:00

Mbi 130 emigrantë klandestinë kanë zbarkuar mëngjesin e së shtunës në
brigjet e Kalabrisë, bëjnë të ditur mediat italiane online.

Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, emigrantët ndodheshin në bordin e një peshkarexhe që është lokalizuar gjatë natës nga Guardia di Finanza.

Mjeti lundrues ishte nisur pesë ditë më parë nga një port i Greqisë dhe këtë mëngjes ka zbarkuar në lokalitetin Roçela Jonika.

Të huajt, gjendja e të cilëve është e mirë, janë me kombësi siriane dhe somaleze. Pas kontrolleve të para mjekësore ata janë transferuar në ambientet e një shkolle.

Ndërkohë, nuk kanë të ndalur edhe zbarkimet e emigrantëve në brigjet e Siçilisë. Një varkë me rreth 100 emigrantë në bord është zbuluar nga roja bregdetare gjatë natës.

Mjeti lundrues, tejet i vjetëruar, është tërhequr në portin e Katanias ku është pritur nga policia dhe ekipe mjekësore, raporton më tej “ANSA”.

Në vërshimet e fundit të emigrantëve që vijnë nga vende të prekura nga lufta, varfëria dhe skamja, në disa raste janë regjistruar edhe viktima.

Top Channel