Privatizimet e orës së fundit

30/08/2013 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe akuzon se privatizimet e fundit janë
pjese e një operacioni të madh për transferimin e pronës publike tek
klientet e Qeverisë.

Zoti Braçe thote se vetëm gjatë gushtit Qeveria ka transferuar tek privatet afer saj asete dhe prona publike me vlerë qindra milionë euro, që nisin sipas tij me rishitjen e aksioneve të ARMO-s.

“Një proces ku nuk janë marrë fare parasysh interesat e shtetit shqiptar brenda kësaj kompanie, madje interesa të normuara dhe të votuara me ligj në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Janë tjetërsuar 9 vendburime të fundit të kompanisë Albpetrol në naftë dhe në gaz duke i dhënë fund kompanisë Albpetrol si kompani prodhimi dhe duke e kthyer atë si kompani rentiere. Eshtë dhënë me koncesion për herë të dytë terminali i trageteve të portit të Durrësit, duke i dhënë fund portit të Durrësit, si një institucion publik”, tha Braçe.

Zoti Braçe pretendon se te gjitha privatizimet e minutave te fundit po behen ne kundërshtim me interesat publike, siç ishte rasti i Konviktit të Gjuhëve të Huaja.

“Universiteti i Tiranës, i cili ndodhet në ngushtësi ambientesh po shpenzon miliona euro, madje po shkatërron dhe pyllin në parkun e madh të Tiranës thjesht dhe vetëm për t’u zgjeruar, për të krijuar hapësira, ndërkohë që hapësirat janë publike, janë në Tiranë dhe përdoren për interesa private”, thotë Brace.

Deputeti socialist thote se nje Qeveri e mundur me 1 milion vota, nuk ka moral te tjetersoje pronen publike ne ditet e fundit te saj. Madje sipas tij edhe ne shkelje te hapur te ligjit siç ndodhi me kabinat e plazhit ne Divjake.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka hetuar praktikën e nisur me Bashkinë e meparshme të Partisë Demokratike dhe e ka gjetur në shkelje të ligjit. Ka urdhëruar të ndërpritet ajo procedurë dhe Ministria në fjalë vijon të ndjekë procesin mbi një procedurë të nisur në shkelje të ligjit dhe të kapur si e tillë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit”, thekson Brace.

Per keto arsye Erjon Braçe premton aksion parlamentar per zhberjen e asaj qe ai e quan vjedhje masive dhe baterdi te prones publike.

“Këto vendime do të jenë të parat, të cilat natyrisht do të shihen, në një proces patjetër parlamentar, por edhe në një proces qeveritar, për të kthyer pronën publike atje ku duhet”, theksoi Braçe.

Top Channel