Gjykata më e lartë në Portugali ka vendosur se plani i qeverisë për ta bërë më të lehtë shkarkimin e punonjësve publik është antikushtetues. Gjykata tha se masa në fjalë bie në kundërshtim me garancitë e sigurisë së punëve shtetërore.
Ky vendim përbën një kthim pas në politikën e Portugalisë për të reduktuar shpenzimet qeveritare, në prag të marrjes së një huaje ndërkombëtare.
Qeveria u kishte premtuar kredidhënësve një reduktim të madh në deficitin buxhetor, por gjykata nuk ka refuzuar vetëm këtë masë shtrënguese nga qeveria.
Projektligji ishte konsideruar i rëndësishëm për shkak të efektit strukturor afatgjat të tij sa i përket shkurtimit të shpenzimeve, raporton agjencia e lajmeve Reuters. Gjithsesi, propozimi do të kishte pasur një impakt shumë të vogël në buxhetin e vitit 2014.
Qeveria e kryeministrit Pedro Passos Coelho kërkon shkurtimin e 30 mijë punëve publike, nga totali prej 500 mijë vendesh në shtet, duke kursyer 4,7 miliardë euro deri në fund të vitit të ardhshëm.
Presidenti konservator i Portugalisë, Anibal Cavaco Silva, i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendoste në lidhje me ligjshmërinë e projektligjit në fjalë.
Analistët thanë se vendimi mund të shqetësojë investuesit, pasi në të ardhmen gjykata mund të refuzojë edhe masat e tjera shtrënguese të planifikuara.
Top Channel