Grupi i rebelëve të njohur si “M23”, në Republikën Demokratike të Kongos, informoi për tërheqjen e tij nga luftimet disa-ditore me forcat paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Zyrtari i grupimit rebel, Museveni Sendugo, tha për “BBC” se agresioni ka përfunduar dhe trupat janë urdhëruar që të tërhiqen pesë kilometra nga vija e frontit.
Kongo, një shtet me një sipërfaqe më të madhe se Gjermania, Franca, Italia dhe Britania marrë së bashku mbetet i përfshirë në dekada konflikti të brendshëm, me grupet e fuqishme të rebelëve që kanë zhytur vendin në kaos duke sfiduar autoritetin e Kinshasës zyrtare.
Përballja me paqeruajtësit e OKB-së nisi pasi rebelët qëlluan me artileri kazermat e ndërkombëtarëve në veriperëndim të vendit, një zonë e pasur me resurse të mëdha minerare, jashtë kontrollit të autoritetit të qeverisë qëndrore.
Të mbështetur nga Ruanda, “M23” vendosën të tërhiqen pas një bisede që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon realizoi me zyrtarët e këtij vendi afrikan.
Aktualisht, 18 mijë trupa të OKB-së ndodhen në Republikën Demokratike të Kongos (për të mos u ngatërruar me Republikën e Kongos ose Kongo Brazzaville), me qëllim stabilizimin e vendit me 80 milionë banorë dhe një prej standarteve më të ulët të jetesës në botë.
Top Channel