Kundërshtohet privatizimi i kabinave

30/08/2013 00:00

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi thotë se vendimi i Ministrisë së Ekonomisë për shitjen e kabinave të plazhit është i paligjshëm pasi pronari i këtyre pronave është bashkia.

“Në mënyrë të vazhdueshme ne kemi paralajmëruar dhe kemi insistuar që ministria të mos marrë masa të kësaj natyre, pasi pronarja e vetme e ketyre kabinave është bashkia e Divjakës. Në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet ndërhyrje me anë të forcës”, deklaron Kokoneshi.

Por shitja e kabinave ka edhe të tjera dyshime ligjore. Në vitin 2010 Këshilli Bashkiak i Divjakës vendosi dhënien e tyre me qera dhjetëvjeçare dhe sipas kreut të bashkisë, që citon raportin e KLSH-së, ky vendim ka qënë përfundimtar.

“Kështu që këto vendime në lidhje me këto pasuri konsiderohen të ezauruara, pasi miratojnë vetëm tjetërsimin ose dhënien me qera. Kështu që vendimi i ish-kryetarit të bashkisë është i pabazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak, veprim që bie në kundërshtim me nenin 32 të ligjit të pushtetit vendor”, shton Kokoneshi.

Një ditë më parë Ministria e Ekonomisë vendosi shitjen e kabinave të plazhit në Divjakë me argumentin se pronarët që i kanë me qera kanë plotësuar kushtin e investimeve. Por kreu i bashkisë thotë se edhe ky është një pretendim i rremë, pasi ky kusht nuk ekziston në asnjë nga kontratat e lidhura të këtyre pronave.

Më herët deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi se privatizimet e fundit janë pjesë e një operacioni të madh për transferimin e pronës publike tek klientet e qeverisë. Zoti Braçe tha se vetëm gjatë gushtit qeveria ka transferuar tek privatët afër saj asete dhe prona publike me vlerë qindra milionë euro, që nisin sipas tij me rishitjen e aksioneve të ARMO-s.

Top Channel