
Beteja me flakët në parkun kombëtar të Josemitit në Kaliforni ende nuk është fituar. Zjarrfikësit u përpoqën të përfitojnë nga një ulje e lehtë e temperaturave dhe fashitja e erës, për të ngadalësuar përhapjen e flakëve, që kanë qenë e pamundur të vihen nën kontroll.
Në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe avionë ushtarakë pa pilotë, të cilët lëshojnë ujë nga ajri. Pavarësisht progresit të lehtë të shënuar, zjarrfikësit e pranojnë se bëhet fjalë për një zjarr shumë të madh, në një terren mjaft të vështirë, që e bën thuajse të pamundur shuarjen e shpejtë të tij.
Që prej fillimit, më 17 gusht, zjarri rrethor ka shkrumbuar mbi 78.000 hektarë tokë dhe konsiderohet i gjashti më i madh në historinë e Kalifornisë.
Të burgosurit e Guantanamos
Dy prej tyre transferohen në vendin e origjiniës, Algjeri
Dy të burgosur të Guantanamos po transferohen pas rishikimit të çështjes së tyre. Në një deklaratë të Pentagonit thuhet se Nabil Said Hadjarab dhe Muthia Sadiq Sayyab do t’i dorëzohen qeverisë së Algjerisë.
Të dy qytetarët algjerian besohet se janë anëtarë të al-Kaedës dhe ishin ndaluar në Afganistan në dhjetor të vitit 2011. Pentagoni u shpreh se rishikimi i çështjes së tyre nga 6 agjenci qeveritare mori parasysh një numër faktorësh, përfshi çështje të sigurisë, para se të miratohej transferimi.
Konkursi i pikturave të shimpanzeve
10 mijë dollarë për punimin e majmunit që jeton në SHBA
10 mijë dollarë është vlera e çmimit të parë në konkursin e pikturës për shimpanze, të cilin e fitoi një majmun amerikan i quajtur Brent. Brent arriti të krijojë, sipas vlerësimit të ekspertëve, një punë delikate, me ngjyra vibruese, ku ndërthuren hijshëm vjollca, bluja dhe e verdha.
Eventi u sponsorizua nga “Humane Society” në Shtetet e Bashkuara. Çmimin do ta marrë streha e Brentit, e quajtur “parajsa e shimpanzeve”. Anëtarët e jurisë u shprehën në fund të konkursit, se e kishin pasur shumë të vështirë përzgjedhjen, sepse u ishin paraqitur shumë punë interesante.
Top Channel