Egjipt, protesta më e madhe pro-Morsit

30/08/2013 00:00

Mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar egjiptian, Mohammed Morsi, morën rrugët ditën e premte duke organizuar protestën më të madhe në dy javët e fundit.

Përleshje mes policisë dhe mbështetësve të Vllazërisë Myslimane u verifikuan në qytete të ndryshme dhe raportohet se tre persona kanë humbur jetën.

Menjëherë pas lutjeve të së premtes, rreth 500 protestues dolën nga xhamia Sahib Rumi në Kajro duke bërtitur parulla të tipit “Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme janë banditë” dhe “Egjipti është islamik, jo laik”.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se protestuesit kanë qenë pjesëtarë të manifestimeve të mëhershme, bazuar në faktin se ata shmangën sheshet kryesore ku policia dhe tanket janë ende të vendosura.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme paralajmëroi më herët se forcat e sigurisë kanë të drejtë të përdorin armët e zjarrit ndaj protestuesve që sulmojnë institucionet publike.

Më herët gjatë muajit qindra protestues humbën jetën kur forcat e sigurisë bastisën kampet e mbështetësve të Morsit në kryeqytet. Vllazëria kërkon rikthimin e presidentit të rrëzuar.

Qeveria e përkohshme egjiptiane, e mbështetur nga ushtria, ka goditur vazhdimisht Vllazërinë Myslimane që kur forcat e armatosura rrëzuan zotin Morsi më 3 korrik, duke arrestuar krerët e saj.

Ditën e enjte, policia ndaloi Mohammed al Beltagin, sekretar i përgjithshëm i Partisë për Liri dhe Drejtësi, krahu politik i Vllazërisë, i cili akuzohet se ka nxitur dhunën.

Top Channel