
Partia Demokratike ka inauguruar godinën e re të saj, ende në rregullim e sipër, me një takim të kryetarit Lulzim Basha me përfaqësuesit kryesorë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Siç tha dhe ambasadori amerikan Alexander Arvizu, takimi është futur në axhendë disa ditë më parë, kur demokratët nuk ishin zhvendosur ende nga godina e vjetër.
Megjithatë, lajmërimi i pritjes së vizitave tek ndërtesa e re, pronësia e të cilës ka hapur prej ditësh debat publik, duket se nuk ka qenë pengesë për takimin e kreut të opozitës së re me kryediplomatin amerikan në Tiranë.
Dalja publike në podiumin e Partisë Demokratike i shërbeu ambasadorit Arvizu edhe për sqarimin e pozicionit asnjëanës të Shteteve të Bashkuara në debatin për godinen e re të opozitës.
“Ne, sigurisht e dimë, që çështja ka qenë subjekt i debateve. Shtetet e Bashkuara nuk mbajnë qëndrim rreth kësaj, sikurse edhe me asnjëlloj mosmarrëveshjeje, por ne sugjerojmë zgjidhje me mirëkuptim, objektivitet dhe zbatim të ligjit”, deklaroi Arvizu.
Ky ishte takimi i parë zyrtar mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu. Takim në të cilin ra në sy dhe pjesëmarrja e deputetit me shtetësi amerikane Eduart Selami, ish-kryetar i Partisë Demokratike.
Palët nuk dhanë shumë detaje nga takimi, por sjellja e demokratëve si opozita e ardhshme e vendit, veçanërisht në lidhje me integrimin europian, duket se ka qenë pjesë kryesore e bisedës.
“Ne biseduam për rëndësinë e rolit të opozitës. Në një demokraci, në mënyrë që ajo të funksionojë siç duhet, dhe po e shpreh me metaforë, për drejtimin e autobusit, janë përgjegjëse të gjitha palët, jo vetëm partia qeverisëse. Dhe përsa i përket kësaj, ne do të ofrojmë të gjithë mbështetjen tonë për Partinë Demokratike”, nënvizoi Arvizu.
“Shkëmbyem pikëpamjet tona mbi një sërë çështjesh, që nga procesi zgjedhor i 23 qershorit, perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit dhe çështje të rëndësishme të integrimit europian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik, si dhe roli i Partisë Demokratike si një opozitë e fortë ballore, krijuese dhe moderne në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Basha nga ana e tij.
Top Channel