Shumë shpejt forcat ushtarake shqiptare do të marrin pjesë në misione të mundshme luftarake, jo vetëm në tokë, por edhe në det e në ajër. Për këtë arsye, forcat britanike, për 3 vite me radhë, zhvillojnë në ishullin e Sazanit stërvitje të përbashkëta me forcat shqiptare.

“Shqipëria Luan 2013”, është një ndër stërvitjet e përbashkëta shqiptaro-britanike më të rëndësishme në 20 vitet e fundit.

Trajnimi në tokë, det dhe ajër, për t’iu përgjigjur terrorizmit është plani i parë i më shumë se 3 mijë britanikëve dhe 1 mijë shqiptarëve të përfshirë në terren.

Në raportet që morën, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshi, dhe ambasadori britanik në vendin tonë, Cannon, përveç organizimit të stërvitjes dhe veprimeve ushtarake, një pjesë e zuri edhe terreni.

Dukej qartë, që britanikët e pëlqenin Sazanin si një vend ideal për t’u stërvitur në tokë, det dhe ajër. Resursi natyror i ishullit, duke i shtuar fortifikimin që nga koha e diktaturës, apo edhe braktisjen e çdo ndërtese të banuar më parë, shfrytëzohet në maksimum për këtë stërvitje të rëndësishme.

Në vitet e fundit, ishulli i vetëm shqiptar, në rrënojat e harruara të një ndërtimi tipik komunist, është kthyer në një zonë të rëndësishme për ushtritë e huaja.

“Nga raportet që patëm për terrenin, them se trupat tona e kanë parë shumë sfidues dhe shumë interesant operimin. Mendoj se ushtrimet janë me vlerë për të dyja forcat, ato shqiptare dhe ato britanike”, tha Nickolas Cannon.

“Ka për qëllim të trajnojë trupat me elementë të zbulimit, të rikonjeksionit, të evakuimit të të plagosurve, të zbatimit dhe imbarkimit. Dëshirojmë edhe të tjerë si ky. Njerëzit tanë aftësohen e mbi të gjitha të komunikojnë, që të njihen me gjuhën e NATO-s dhe të operacioneve”, tha Gjeneral Gjunkshi.

Por, a ka një sekret ushtarak brenda kësaj stërvitjeje? A lidhet diçka mes saj dhe sulmit që pritet nga NATO në Siri? Britanikët e mohojnë këtë fakt, ndërsa shqiptarët po marrin përvojë.

E gjithë stërvitja është e ndërtuar për t’iu përgjigjur terrorizmit. Fabula është ndërtuar me britanikët në sulm dhe shqiptarët në mbrojtje. Me trupat angleze, që janë çlirimtare, dhe trupat shqiptare, që luajnë rolin e mbrojtësve terroristë.

Për këtë arsye, britanikët janë me të gjitha pajimet dhe shqiptarët enkas pa antiplumb dhe jo të veshur mirë. Edhe pse e gjitha i ngjan tablosë së një misioni hipotetik në Siri, ajo mohohet kryesisht nga ambasadori britanik Cannon.

Ndërsa Shefi i Ushtrisë shqiptare thotë se është i gatshëm t’i përgjigjet lidershipit politik të vendit, për çdo lloj misioni ushtarak. Komandanti anglez i stërvitjes, kolonel Oliver, thotë se është gati për çdo detyrë.

“Kjo stërvitje ka tre vite, që kryhet dhe nuk ka lidhje me ndonjë zhvillim politik në Shqipëri. Sigurisht që ka disa rreziqe jashtë këtij rajoni, por kjo stërvitje nuk është për t’iu përgjigjur ndonjë situate specifike, por për t’u përgatitur, që britanikët dhe shqiptarët të jenë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo lloj situate”, theksoi Cannon.

“Ne jemi gati që t’i përgjigjemi lidershipit politik, që t’i përgjigjemi Aleancës dhe të veprojmë për atë lloj operacioni, që do të bëhet. Këto trupa sot po stërviten për këto lloj operacionesh dhe sigurisht, koha do të tregojë se për çfarë do të ketë nevojë, që ne të shërbejmë brenda Aleancës”, u shpreh Gjeneral Gjunkshi.

“Kjo stërvitje është planifikuar shumë kohë më parë, se situata në Siri të merrte këtë formë. Nuk mund të them se çdo të bëjmë në të ardhmen, por di të them se jemi të gatshëm për çdo detyrë, që të na urdhërojnë dhe se kjo stërvitje që po bëjmë, është ajo që kemi nevojë”, deklaroi Kevin Oliver, zv/komandat i brigadës komando të “Royal Marine”.

Të gjithë e quajnë një hamendësim të “The Guardian”, se anijet britanike në Sazan janë të gatshme për Siri, por ato ndodhen aty në mbështetje të 3 mijë britanikëve. Dhe ishulli është kthyer më së fundi në atë mision, për të cilin, fjalën Sazan të gjithë e përkthejnë si një bazë strategjike.

“Shqipëria Luan 2013” nuk ka evidentuar vetëm faktin se forcat tona ushtarake kanë një performancë të mirë, por edhe se ishulli i Sazanit mbetet një pikë strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për forcat e tjera të huaja”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA