Rama: Shkëlzen Maliqi, këshilltar për rajonin

29/08/2013 00:00

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, përmes rrjeteve sociale njofton se
këshilltari i shefit të Qeverisë së re për rajonin do të jetë Shkëlzen
Maliqi.

“Kabineti i ri i kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t’ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes. Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur e i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi ynë i Rilindjes – Shkelzen Maliqi”, shkruan Rama.

Më tej Rama shton se “ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkelzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik.”

Top Channel