Obama: Amerika ndryshoi prej M. L. King

29/08/2013 04:00

Duke përshëndetur luftën e gjatë për barazi raciale, gjë që për shumë persona ende nuk ka përfunduar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama përkujtoi përvjetorin e 50-të të fjalimit “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) të të nderuarit Martin Luther King Jr., gjatë ditës së mërkurë, në të njëjtin vend ku lideri i të drejtave civile foli gjysmë shekulli më parë.

“Fjalët e tij i përkasin të gjithë brezave, posedojnë një fuqi dhe profeci të pashembullt edhe në kohën tonë”, tha Obama përpara një turme të larmishme të mbledhur nën një qiell ngjyrë gri e me reshje shiu, për të marrë pjesë në ceremoninë, e cila zgjati për orë të tëra.

“Luther King – tha Obama, – ishte një zë i fuqishëm për miliona shpresa të heshtura”, duke përshëndetur liderët, të cilët i bënë ballë sulmeve, intimidimit dhe dhunës, në përpjekjet e tyre për të drejta të barabarta, pa dallime raciale.

Në të njëjtën ditë, gjatë gushtit 1963, kur Luther King dhe aktivistët e tjerë marshues morën pjesë në atë që ai e etiketoi si “demonstrata më e madhe për liri në historinë e vendit tonë”, shumë pak nga ajo turmë mund të kishte imagjinuar se, gjysmë shekulli më pas një president afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara do të përkujtonte këtë ngjarje, me një fjalim nga i njëjti vend.

Gjatë fjalimit të tij nën këmbët e Memorialit të Lincoln, Obama theksoi zgjedhjen e tij në krye të Zyrës Ovale (në Shtëpinë e Bardhë), si pasojë e këmbënguljes dhe kurajos së liderëve si puna e Luther King.

“Vetëm për shkak se ata zhvilluan atë marshim, Amerika ndryshoi, – tha Obama. – Për shkak të marshimit të tyre, këshillat e qyteteve ndryshuan, legjislacionet e shteteve ndryshuan, Kongresi gjithashtu, por edhe Shtëpia e Bardhë ndryshoi”.

Edhe pse disa ndryshime të tjera negative janë munduar të parandalojnë ecjen përpara drejt harmonisë mes racave të ndryshme, Obama theksoi të mërkurën se puna e palodhshme e liderëve të të drejtave të njeriut kanë ndryshuar një herë e përgjithmonë diskursin mes racave në Amerikë.

“Të mohosh apo të zvogëlosh përmasat e këtij procesi, të thuash (sic thuhet ndonjëherë) se shumë pak ndryshime ka pasur, kjo çnderon kurajon dhe sakrificën e atyre, të cilët paguan çmimin e marshimeve në ato vite”, tha Obama.

Duke adoptuar fjalë nga një tjetër fjalim i Luther King, Obama deklaroi se “harku i universit moral mund të përkulet përpara drejtësisë, por nuk mund të përkulet para vetvetes”.

Liderë të ndryshëm, që folën në përvjetorin e këtij eventi gjatë së mërkurës (përfshi Obama-n), theksuan se pabarazia në të ardhura, papunësia e madhe dhe tkurrja e klasës së mesme, kanë ulur shpresat për arritjen e barazisë mes miliona amerikanëve, edhe pse presidenti Obama tha se këto fakte nuk mund të fshijnë përparimin e marshimeve të lëvizjeve për të drejtat e njeriut.

“Për të siguruar fitimet, që ky vend ka arritur, kërkon vigjilencë të vazhdueshme, jo vetëkënaqësi, – tha ai, duke shtuar, – Do të vuajmë pengesat rastësore, por do t’i fitojmë këto beteja. Ky vend ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA