Ban Ki Moon: Ekspertët e OKB-së largohen të shtunën

29/08/2013 00:00

Ekipi i hetuesve të OKB-së për armët kimike që po mundohen të
verifikojnë nëse forcat qeveritare në Siri kanë përdorur apo jo armë
kimike do të largohen nga ky shtet, të shtunën.

Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, të enjten.

“Ata do të vazhdojnë aktivitetet e tyre të hetimit deri nesër, pra të premten dhe nga Siria do të largohen mëngjesin e së shtunës dhe mua do të më raportojnë menjëherë pasi të dalin nga Siria”, ju ka thënë Ban gazetarëve.

Hollande: Zgjidhje politike për Sirinë

Presidenti francez, Francois Hollande deklaroi të enjten se një zgjidhje politike duhet të mbes fokusi për Sirinë.

Mirëpo, kjo sipas Hollande mund të ndodhë vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar ndalon vrasjet në Siri dhe më mirë të përkrahë opozitën e presidentit aktual, Bashar al Assad.

“Çdo gjë duhet bërë për të arritur një zgjidhje politike, por kjo mund të ndodhë nëse koalicioni opozitar mund të paraqitet si alternativë me fuqinë e duhur”, Hollande ju ka thënë reporterëve pas takimit me udhëheqësin e Koalicionit Kombëtar Sirian, Ahmed Jarba.

Top Channel